
Një gjykatë në SHBA vendosi se Irani duhet t’u paguajë 6 miliardë dollarë viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Të martën, një gjykatë federale në Nju Jork gjeti fajtor Iranin, bankën qendrore të vendit dhe Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike për vdekjen e më shumë se 1 000 vetëve në sulmet e 11 shtatorit. Si pasojë, gjykatësi Xhorxh Daniels urdhëroi Iranin dhe institucionet e tij të paguanin mbi 6 miliardë dollarë kompensim për familjet e viktimave.
Aktgjykimi i padisë kërkon kompensim prej 12.5 milionë dollarë për bashkëshortët e vdekur në këto sulme, 8.5 milionë dollarë për prindërit, 8.5 milionë dollarë për fëmijët dhe 4.25 milionë dollarë për vëllezërit ose motrat. Në bazë të këtij vendimi, SHBA përllogaritet të përfitojë miliarda dollarë nga asetet iraniane të ngrira në SHBA dhe Evropë gjatë viteve të fundit. Megjithatë, kjo nuk ka të ngjarë, pasi vendimi shihet si simbolik dhe i pazbatueshëm.
Kjo nuk është hera e parë që Daniels jep vendime të tilla ndaj Iranit. Në vitin 2011 dhe 2016, gjyqtari i New Yorkut urdhëroi republikën islamike të paguante miliarda dollarë për viktimat e sulmeve, të cilat vranë rreth 3 000 njerëz.
Teherani ende nuk ka reaguar ndaj vendimit të fundit, por ka hedhur poshtë edhe më parë akuza të tilla që i ka cilësuar si qesharake, pasi sipas tij asnjë nga autorët e sulmeve nuk ishin qytetarë iranianë dhe asnjë hetim nuk kishte gjetur lidhje të drejtpërdrejta me Iranin.



