
Ngritja e organeve të reja të drejtësisë është futur në një “ngërç” të ri, i cili vetëm sa do ta rëndojë akoma më shumë procesin e veting-ut. Konstitucionalisti Çlirim Gjata është i mendimit se politika e ka fshehur djallin në detaje, lidhur me hartimin dhe zbatueshmërinë e kësaj reforme, për ngritjen e institucioneve të reja të gjyqësorit.
“Duhet t’i llogarisin të gjitha detajet sepse iu ngelet në dorë për disa detaje fare të vogla. Janë bërë të tilla për të mos u ekzekutuar. Sepse gjithçka që varet, varet nga vetingu. Pa mbaruar vetingu, asgjë nuk bëhet dot. Nuk ngre dot asnjë institucion, sepse është vetëqeverisje e organeve të drejtësisë. Duhet të kishin marrë masa. Duhej të ishte që për çdo largim nga sistemi I drejtësisë të kishte një emërim të përkohshëm derisa të ngriheshin institucionet. Kështu që hajde ekzekutoji ligjet që ke bërë. Por i ke bërë të tilla pikërisht për të mos i ekzekutuar. Politika ia ka hedhur ndërkombëtarëve te gjërat e vogla. E tërë ajo masë që u bë për të krijuar drejtësi të pavarur, për të luftuar politikën e korruptuar… tani kjo politikë ia ka hedhur te gjërat e vogla, ja ku ka ngecur tani. Je pa asnjë institucion, nuk funksionon asgjë”, thotë Gjata.
Bllokimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi sipas Gjatës ka sjellë edhe mosngritjen e organit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i cili është përgjegjës për kontrollin dhe marrjen e masave ndëshkimore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ngritja e ILD-së tashmë është e pamundur për Gjatën, pasi kjo është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese dhe qeverisë i duhet shumicë e cilësuar votash, për të miratuar sërish ndryshimet ligjore.
“Duhet të mbarojë vetingu që kandidaturat e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të kontrollohen anëtarët e KED, të kalojnë vetingun që të kemi një KED, kandidaturat për Inspektor të Lartë të Drejtësisë të shkojnë në KED dhe të emërohet nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Edhe sikur kjo të realizohet, gjë që siç po e shohim do të shkojë shumë vonë, pra të emërohet Inspektori i Lartë i Drejtësisë, pra ai kontrolluesi , atë që ka bërë inspektorati i KLD do e bëjë Inspektori i lartë i drejtësisë, një institucion i veçantë. Edhe sikur të emërohet ai, kemi një ngërç ligjor. Kjo sepse kapitulli mbi masat disiplinore te ligji për organet e drejtësisë, ligji për statusin e organeve të drejtësisë, është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese dhe për t’u emëruar nga Parlamenti kërkon 3/5, kërkon 84 vota. Me këtë nivel konflikti ku është politika sot, mendoni që mund të bëhet? Pra jo vetëm që jemi me vonesë në çështjet e ngritjes së KED, ILD, por s’ka ligj ku do të veprojë ai. Është shfuqizuar, duhet të bëhet ligji nga e para”, shprehet ai.



