
Në vijim të operacionit të koduar “Brothers”, policia e Beratit ka vënë në pranga vëllain tjetër të shpallur në kërkim gjatë operacionit të zhvilluar në muajin tetor 2023.
Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e policisë kapën shtetasin e shpallur në kërkim A. (B). D., 43 vjeç, banues në fshatin Pobrat, Dimal, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve telefonike”, në bashkëpunim.
43-vjeçari ishte shpallur në kërkim në muajin tetor 2023, gjatë operacionit “Brothers”, ku në banesën e dy vëllezërve, një prej tyre u arrestua gjatë operacionit, u gjetën 50.8 kg lëndë narkotike kanabis dhe 240 rrënjë bimë narkotike kanabis.
Gjithashtu gjatë kontrolleve për kapjen e 43-vjeçarit, shërbimet e policisë kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin R. M., 20 vjeç, banues në lagjen “Uznovë”, Berat, pasi dyshohet se shpërndante lëndë narkotike.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis, 1 përforcues grushti dhe një peshore elektronike.



