Gjykata e Fierit pas tre orësh gjykim ka dhënë sot masën e arrestit për 5 personat e arrestuar si të përfshirë në vrasjen e dy vëllezërve Gëzim dhe Lavdrim Kurtaj në datën 10 shtator.
Në përfundim të seancës u vendos: Altin Kuka, autori i vrasjes së dyfishtë; Ervis dhe Emairisio Kuka, dy vëllezër, 21 dhe 18 vjeç, janë lënë në masën “arrest me burg”.
Yzedin Kuka, babai i autorit të vrasjes, 79 vjeçarit iu la akuza “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve luftarake”. Për të u vendos masa “arrest shtëpie”.
Ndërkohë Tomorr Zyra i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit është lënë masa “arrest me burg”.
Pas arrestimit policia në cilësinë e provave materiale sekuestroj 1 armë kallashnikovë, 1 pistoletë, 1 çifte, 4 krehër me fishek, municion luftarak, 5 makina dhe 1 motoçikletë.
Ditën e sotme gjykata e Fierit ka qenë me forca të shumta policore për shkak edhe të disa familjarëve të viktimave që qëndruan jashtë dyerve të organit të akuzës.
Ngjarja ndodhi 3 ditë më parë, ku në mesditë shtetasi Altin Kuka vrau dy vëllezërit të cilët ishin ulur jashtë në një tavolinë në dyqanin e tyre në fshatin Kurjan. Shkak i vrasjes deri tani dyshohet të ketë qenë sherri i djemve të rinj të autorit të vrasjes dhe njërit prej viktimave.



