Një fabrikë e përpunimit të peshkut është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm në superstradën Lezhë-Laç, duke shkaktuar frikë dhe panik te punëtorët.
Mësohet se zjarri ka rënë rreth orës 06:30 të mëngjesit në fabrikën 'Eurofish', me administrator Kujtim Shkrelin.
Flakët vijojnë të shkrumbojnë çdo gjë, ndërsa situata është mjaft e rrezikshme për shkak se vetëm pak metra më lart ndodhen edhe disa bombola gazi.
Disa punonjës shprehen se sapo kishin filluar punën, ndërsa fatmirësisht kanë mundur të dalin jashtë për të shpëtuar.
Një punonjës i zjarrfikëses është ndjerë keq gjatë betejës me flakët në fabrikë i cili është dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Situata në fabrikë ka qenë shumë e vështirë për shkak të flakëve të mëdha dhe të shtëllungave të tymit që kanë pushtuar fabrikën dhe zonën përreth.
Nga ana e tyre shërbimet e Policisë dhe të zjarrëfikses në vendngjarje, punojnë për shuarjen e flakëve. Si pasojë e tymit është devijuar trafiku në qytet dhe në rrugë dytësore.



