
“Jemi ne, SHBA, BE dhe deri sot nuk e kam dëgjuar se ka vend për të rishikuar Reformën në Drejtësi sot për sot. Asgjë nuk është e papërmirësueshme në këtë botë. Jo nuk ka vend për të riparë Reformën në Drejtësi sot për sot. Dhe nëse ka vend kjo është diçka që do të diskutohet me bashkautorët”- Kryeministri Edi Rama
Jemi në vitin 2020, kur Prokuroria e Posaçme dhe institucionet e reja të drejtësisë ishin në vitin e parë të punës së tyre. Për shkak të vetingut në atë kohë dy gjykatat më të rëndësishme në vend ajo Kushtetuese dhe e Larta nuk ekzistonin pasi gjyqtarët u shkarkuan apo dorëhoqën.
Teza për ndryshime në ligjet e reformës në drejtësi u hodh për diskutim në atë kohë nga ish-deputeti i Partisë Socialiste Adnor Shameti.
Pavarësisht kësaj situate ku gjykatat më të rëndësishme mungonin në Shqipëri, numri një i qeverisë sqaroi se kjo reformë nuk ka autore vetëm politikën shqiptare.
Partia Socialiste dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste janë pasqyrë e këtij vendi të lirë ku jetojmë, vend që ka problemet e veta por që ka një liri fjale që shkon përtej caqeve të lirisë në shumë vende shumë më të zhvilluara demokratikisht se ne.
Shqipëria është vendi ku shpifet më lirisht pothuajse në të gjitha vendet e botës.
Në grupin e PS s’ka tabu, të gjitha diskutohen. Reforma në Drejtësi nuk është një vepër ekskluzive e politikës shqiptare por është një vepër në proces me bashkautorësinë e partnerëve ndërkombëtarë.
Por gati 5 vite më vonë retorika e Kryeministrit Edi Rama ka ndryshuar. Sipas tij, reformën në drejtësi nuk e sollën amerikanët dhe europionët dhe se pa partinë socialiste ajo nuk do të miratohej dhe nuk do kishte këto rezultate që ka.
Konsolidimi i institucioneve të reja të drejtësisë dhe goditja e fenomenit të korrupsionit solli një tjetër qasje të politikës ndaj institucioneve të reja të drejtësisë dhe në veçanti të Prokurorisë së Posaçme. Me disa hetime të saj ndaj bashkëpunëtorëve dhe ish bashkëpunëtorëve të ngushtë të Edi Ramës SPAK filloi të godiste korrupsionin në nivele të larta dhe në projekte të rëndësishme.
I pari ishte Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit i arrestuar për çështjen e inceneratorëve. Në momentin e arrestimin Koka nuk mbante asnjë pozicion pasi kishte dorëzuar edhe mandatin e deputetit. Kryeministri reagoi duke sqaruar se partia që ai drejton nuk është zyrë avokatie dhe çështja e Lefter Kokës në raport me drejtësinë ishte personale.
Çështja e ish-ministrit me SPAK-un dhe drejtësinë, nuk është as çështje politike, as çështje partiake, as çështje kolektive, po çështje individuale.
Ne nuk e kemi udhëhequr dhe nuk e mbështesim pa kushte Reformën në Drejtësi, si palë politike, po si forcë udhëheqëse politike e morale e shqiptareve pa dallim, kështu që për mua e për Partinë Socialiste mbetet e pandryshuar vija e kuqe e ditës së parë në detyrë: Cilido qoftë, pa dallim partie duhet të përballet vetë me drejtësinë!
Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie e askujt prej nesh dhe deri në vendimin përfundimtar gjyqësor, askush ndër ne që ka punë me drejtësinë nuk mund të jetë pjesë e familjes sonë politike. Kaq!
I njëjti qëndrim ishte edhe për një nga njrrëzit e tij më të afërt në këto 12 vite pushtet, Arben Ahmetajn.
Ish-zëvëndeskryeministri vendosi të arratisej disa ditë para se SPAK të nxirrte një urdhër arresti për të, në verën e vitit 2023.
Edi Rama reagoi disa herë për ish numrin dy të qeverisë duke mbajtur të njëjtin standard se kush kishte probleme me drejtësinë duhet të zgjidhte vetë.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe për disa ish zyrtarë të tjerë të gjatë këtyre viteve. Por vetëm dy çështje të drejtësisë ka vendosur të komentojë Kryeministri.
E para ka të bëjë me hetimin që SPAK po zhvillon për mënyrën se si kaloi tek privati baza ushtarake e Sarandës. Vendimet e gjykatave për të sekuestruar këtë bazës Kryemnistri i shikon si ndërhyrje brutale të drejtësisë në punët e pushtetit ekzekutiv.
Ndërsa arrestimi i Erion Veliajt solli një tjetër reagim të numrit një të qeverisë në raport me drejtësinë, i cili nuk ishte parë deri në atë moment.
Prangosja e kryetarit të bashkisë 3 muaj para zgjedhjeve të 11 majit e prishi qetësinë e Kryeministrit dhe marrëdhënien institucionale me drejtësinë.
Në një mbledhje të grupit parlamnetar të Partisë Socialist kërkuar nga Klotilda Bushka, person nën hetim në dosjen Veliaj, Edi Rama mbajti një fjalim të gjatë ku kërkoi prova nga Prokuroria e Posaçme.
Ndryshe nga herët e tjera Kryeministri komentoi hetimin e një prokurorie dhe vendimin e një gjykate. Madje duke lexuar dhe një mesazh në telefonin e tij, të cilin ia kishin dërguar për gjyqtarin Erjon Bani, i cili mori vendimin për arrestimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës.
Në fjalën e gjatë Rama e vuri theksin tek standardet që duhet të ketë drejtësia dhe të mos abuzohet me pavarësinë, pasi do të ishte kthim pas.
Kryeministri e mbylli fjalën se mandati i katër të cilin do e fitojë do të jetë ai i standardeve në demokratike ne drejtësi.
Mazhoranca gjatë vitit të fundit nuk ka qëndruar vetëm tek fjalët kur vjen puna tek veprimet konkrete ligjore për të ngritur mekanizma që do të kontrollojnë punë e institucioneve të pavarura. Komisioni për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsion, i pagëzuar si “komisioni Xhafaj” është parë me skepticizëm për shkak se shihet si një tentative për të kontrolluar punën e isntitcioneve të drejtësisë dhe konkretisht SPAK.
Disa ekspertë në këtë komision kanë propozuar ngritjen e një komisioni të përhershëm parlamentar në Kuvend, që do të kryejë monitorimin e një sërë institucionesh, përfshirë SPAK.
Shtimi i një tjetër komisioni të përhershëm parlamentar do të kërkonte ndryshimin e rregullores së Kuvendit e cila nuk kërkon shumicë të cilësuar, e mund të miratohet lehtësisht edhe pa konsensus, me vetëm 71 vota, të cilat në këtë momente i ka Partia Socialiste.
Kjo ishte pjesa qasja që mazhoranca ka pasur në lidhje me pasojat që kanë sjellë hetimit e SPAK dhe qëndrimet e saj ndër vite duke filluar që në ngritjen e institucioneve të reja, deri tek veprimet konkrete që ata kanë marrë.
Opozita nga krahu tjetër dhe konkretisht drejtuesi i saj Sali Bërisha kanë qenë më të ndershëm për marrëdhënien e tyre me Prokurorinë e Posaçme.
Në daljet e tij nga SPAK ku ai paraqitet dy herë në muaj për shkak të masës së sigurisë për çështjen “Partizani” ka bërë deklarata të forta. E tillë ishte ajo e 17 shkurtit ku tha se një institucion që është jashtë çdo kontrolli, duhet të shkrihet.
Një nga deklaratat më të forta që kreu i opozitës Sali Berisha ka bërë karshi Prokurorisë së Posaçme, të cilën ndër vite e ka cilësuar si “SKAPIN e partisë”.
Deklarata prodhoi debat të madh politik dhe publik. Mazhoranca dhe Kryeministri e përdorën për të bërë diferencën që ai ka me opozitën kur vjen puna tek reforma në drejtësi dhe SPAK në veçanti.
Ndërsa debati publik u fokusua tek qasja që do të kishte opozita në raport me institucionit më të besuar nga shqiptarët, nëse ajo do të vinte ne pushtet.
I vetëdijshëm për këtë kreu i Partisë Demokratike në daljen e datës 3 mars nga Prokuroria e Posaçme foli për reformim të kësaj prokurorie duke larguar nga aty prokurorët e lidhur me krimin dhe ndikimin politik në të.
Ndërsa nga selia e Partisë Demokatiek në mbledhjen e grupit parlamentar shprehu një tezë tjetër se për reformimin e drejtësisë do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion.
Gjithashtu Berisha tha se nuk do të bashkonte asnjëherë votat me Edi Ramën për të votuar ndryshime në sistemin e drejtësisë.
Ilir Meta ishte një aktor dhe faktor shumë i rëndësishëm në vitin 2016 kur në parlamentin shqiptar i votuar në mënyrë unanime, reforma në drejtësi me 140 vota.
Ditët para miratimit të kësaj reforme nuk ishin aq të qeta dhe ish kryetari i Kuvendit në atë Ilir Meta deklaroi se do ta bënte ai burgun për të gjithë politikanët shqiptarë.
Por 8 vite më pas presidenti i Partisë së Lirisë u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për akuzat e korrupsioni dhe fshehjes së pasurisë.
Pas mbarimit të mandatit të presidentit, kthimi në krye të një partie politike nuk ishte i qete për Ilir Metën. Disa herë ai akuzoi drejtuesin e prokurorisë së posaçme se po e përndiqte politikisht.
U deshën 5 vite funksionim të Prokurorisë së Posaçme që politika të jetë në të njëjtin krahë kur vjen puna tek raporti që ata kanë Prokurorinë e Posaçme. Edi Rama me mënyrën e tij të moderuar të Ramës për standarde në drejtësi.
Ndërsa Sali Berisha dhe Ilir Meta me qartësinë e tyre se SPAK ka nevojë për reformim pasi është kthyer në një prokurori politike.
Por SPAK e ka pasur të parashikuar këtë gjë në strategjinë e tij për vitet 2024-2027. Bazuar në analizën SWOT e cila është një teknikë që parashikon vështirësitë, dobësitë, mundësitë dhe kërcënimet është i parashikuar presioni politik i sofistikuar.
Aty shkruhet tekstualisht se, "Klasa politike mund të instrumentalizojë ndryshime ligjore që lidhen me funksionimin e Prokurorisë së Posaçme për të ndikuar tek kjo e fundit, duke e vënë atë përballë vështirësive për realizimin e misionit të saj".
Në një terren ku duket se SPAK parashikon lëvizjet e politikes disa kohë përpara se të ndodhin, pyetja është se cila do të jetë lëvizja konkrete e klasës politike?
Pasi me këto që po ndodhin askush nuk parashikon dot se cila do jetë lëvizja e radhës e SPAK dhe sa lartë mund të shkojë ajo.



