Marrëveshja mes Italisë dhe Greqisë për ndarjen e shelfit kontinental dhe zonave ekskluzive ekonomike u pa nga mediat e vendit fqinj si një shtysë për të finalizuar edhe paktin detar me Shqipërinë.
Glevin Dervishi, anëtar i grupit negociator të palës shqiptare është i mendimit se rishikimi i traktatit të vitit 1977 mes Italisë dhe Greqisë u shërbeu të dyja palëve për të rikonfirmuar sovranitetin në hapësirën detare dhe për të tejkaluar mosmarrëveshjet lidhur me të drejtën e peshkimit në detin Jon.
Nuk kanë pasur një marrëveshje të tillë për disa arsye. E para sepse konventa e Montegobeit ka hyrë në vitin 1992, ndërsa marrëveshja e tyre është e ‘77-s. Ndaj u desh që të dy vendet të ecin në raport me kriteret e konventës, që të bëjnë një marrëveshje të re sa i takon ZEE. Dy vendet kanë rënë dakord për një ulje prej 3%. Kjo i ka dhënë avantazh Italisë.
Dervishi konsideron se firma e hedhur në Athinë nga Dendias dhe Di Maio do t’u japë edhe një shtysë të mëtejshme edhe negociatave të vendit tonë me Greqinë duke qenë se ishulli i Othonit është një pikë strategjike për të tre vendet.
Është një bonus për disa arsye. Sepse së pari ne me Italinë, ne me Greqinë dhe Greqia me Italinë jemi pothuajse në të njëjtat rajone dhe pothuajse në të njëjtën zonë. Edhe ne me Greqinë do të përdorim të njëjtin mekanizëm dhe në fakt kështu është rënë dakord, për të pasur të njëjtën metodologji që është ajo që prodhon një ndarje të drejtë për palët.
Sipas Dervishit, Shqipëria nuk ka humbur hapësirë detare nga nisja e negociatave, përkundrazi, ai thotë se vendi ynë ka përparësi në ndarjen e re.
Në kushtet kur dy shtete arrijnë një marrëveshje të drejtë për delimitimin, të dyja shtetet janë të fituara. Dhe ne me Greqinë për këtë zonë duhet të kemi një korrektim në favor të palës shqiptare, ku vija delimituese duhet të pësojë një lloj thyerjeje ose një lloj spostimi nga ishujt grekë përballë palës shqiptare. Ajo nuk mund të jetë asesi një ndarje 50 me 50, por mund të jetë një ndarje me një variabël nga 50 plus 1, deri në 40-60, 30-70 etj. varet gjithmonë nga negociatat
Të njwjtin ngërç, Shqipëria ka dhe me Malin e Zi për shkak të pozicionit gjeografik të hartës territoriale.
Gjithashtu përtej detit territorial të 12 miljeve si me Malin e Zi, edhe me Greqinë, ne duhet të ndajmë edhe shelfin kontinental edhe zonën ekskluzive ekonomike. Ndaj Shqipëria e ka të domosdoshme të kryejë të njëjtat procese delimitimi edhe me Greqinë, edhe me Malin e Zi.
Ndarja e zonës së shelfit kontinental dhe zonave ekskluzive ekonomike përcakton një shtrirje deri në 12 milje det territorial dhe shtetet mund të t’i shfrytëzojnë për peshkim dhe nxjerrje të naftës apo lëndës së gazit nga nëntoka ujore.



