
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, pas prezentimit të progress raportit për Shqipërinë, theksoi edhe njëherë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur të gjitha detyrat e lëna nga BE dhe është radha e kësaj të fundit të njohë arritjet.
Deklaratën e bëri në një konferencë të përbashkët me komisionerin Hahn pas prezantimit të paketës së zgjerimit nga Komisioni Europian.
“Në Shqipëri theksoj zbatimin mbresëlënës të reformës në drejtësi. KE rekomandon për herë të dytë çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një rekomandim i bazuar në një vlerësim solid. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë pjesën e tyre të punës dhe tani është radha e BE për të përmbushur dhe bërë pjesën e vet, rekomandimi ynë do të shkojë në Këshill, topi ynë do të kalojë te Këshilli”, tha Mogherini.
Në mbyllje të mandatit të Komisionit aktual, Mogherini theksoi rëndësinë që BE të mbajë angazhimet e veta dhe të japë ato merita ku ato ekzistojnë.
“Ne themi që procesi i zgjerimit është proces i bazuar te merita. Kur vlerësojmë meritat në mënyrë objektive ato duhen njohur. Duke mos njohur këtë lloj progresi objektiv do të dëmtohet besueshmëria e BE në rajon dhe më tej. Mosnjohja e këtyre reformave dhe arritjeve që janë bërë do të minojnë stabilitetin dhe do të shkurajonin reformat e mëtejshme dhe në veçanti do të sillnin dhe një element desiluzioni në rajon dhe BE. Gjatë 5 viteve të fundit kemi parë rezulate në Ballkanin Perëndimor të cilat ndoshta janë dukur krehtësisht të pamunduara kur ka filluar mandatin ky Komision.Ndryshimet duhet të jenë të pakthyeshme për të mirën jo vetëm të rajonit por edhe BE”, tha Mogherini.
Eurokomisioneri Johannes Hahn deklaroi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë arritje duke përqafuar një erë ndryshimesh. Ai tha se këto shtete kanë treguar rezultate në fushat që kanë të bëjnë me rekomandimet e komisionit në vitin 2018. Hahn veçoi zhvillimet e Shqipërisë në reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit.
"Vlerësimi ynë është një analizë objektive që mund të mbështeten shtetet anëtare. Ka ende shumë për të bërë në Ballkanin Perëndimor, ashtu si duhen dhënë ende rezultate të prekshme. Duhet të ketë progres edhe për pajtimin, bashkëpunimin rajonal, duke ndjekur shembullin e Maqedonisë së Veriut. Çelja e negociatave nuk do të thotë që përfundojnë negociatat nesër apo pasnesër. Procesi është i gjatë në vetvete, nuk është realiste të besohet që çelja e negociatave do të jetë e shkurtër. Nëse një shtet e meriton nuk përjashtohet mundësia që të ecë më para se vendet e tjera", tha Hahn.



