
Presidenti i Komisionit Europian është kritikuar shpesh në media për sjelljen përtej formales në takime apo evente të niveleve të larta. Jean-Claude Juncker u vendos në qendër të vëmendjes së të gjitha mediave disa javë më parë me sjelljen e tij në samitin e OKB-së, ku u paraqit i dehur. Por kjo nuk është e vetmja gafë e Juncker-it. Politico.eu ka mbledhur disa prej rasteve, kur kreu i Komisionit Europian e ka tepruar. Të premten e kaluar, ndërsa shkonte në samitin e Këshillit të Europës, Juncker u shpreh: Nuk jam kryeministër britanik, do të ishte mirë për britanikët po të isha.
Shqetësimi për Italinë
Të enjten e kaluar, Juncker deklaroi se BE-ja duhet të përgatitet për më të keqen në Itali pas zgjedhjeve të 4 marsit. “Duhet të bëhemi gati për skenarin më të keq dhe ky i fundit mund të jetë një qeveri jooperative”, tha ai gjatë një eventi të organizuar ngë Qendra Europiane për Studime Politike. Deklarata e tij u reflektua menjëherë në tregjet financiare.
Në një deklaratë më vonë po të njëjtën ditë, Juncker u përpoq t’i rregullonte gjërat. “Cilido qoftë rezultati, jam i bindur se do të kemi një qeveri që do të sigurojë që Italia të mbetet një lojtar me peshë në Europë”, tha ai. Juncker u shpreh se deklarata e tij e mëparshme ishte keqkuptuar.
Maqedonia
Për një lider të BE-së, Maqedonia duhet të jetë FYROM (Ish-republika jugosllave e Maqedonisë) deri në momentin që Athina dhe Shkupi të zgjidhin kontestin e emrit, për të cilin vijojnë bisedimet. Por ai që e ngatërroi këtë ishte vetë Juncker, ndërsa fliste krah kryeministrit Zoran Zaev.
“Po takohem me presidentë dhe kryeministra nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe në cilësinë e kryeministrit të Luksemburgut kam qenë në Maqedoni, më falni në FYROM”, tha ai në dhjetor të vitit të shkuar.
Kur ngatërron gruan me Merkelin
Një tjetër episod i sikletshëm është ai i korrikut të vitit të shkuar. Gjatë një konference shtypi në Bruksel me kryeministrin sllovak, Robert Fico, dhe zv.presidentin e Komisionit Europian, Maroš Šefčovič, Juncker mori një telefonatë. Për të mos u dukur si kandidati republikan për president, Rudy Giuliani, i cili iu përgjigj telefonatës së gruas gjatë një fjalimi të fushatës në vitin 2007, Juncker e mbylli telefonin.
Por nuk kaloi shumë kohë dhe kuptoi që ajo që e kishte telefonuar kishte qenë kancelarja gjermane dhe jo e shoqja.
Eurodeputetët qesharakë
Në korrik 2017, Juncker akuzoi Parlamentin Europian për mungesë respekti ndaj vendeve të vogla, pasi një numër i vogël deputetësh europianë mbërritën në sallë për të ndjekur fjalimin e kryeministrit të Maltës.
“I përshëndes ata që nuk e morën mundimin të vinin. Parlamenti Europian është qesharak, shumë qesharak. Fakti që vetëm 30 eurodeputetë janë në këtë sallë mjafton për të treguar se ky parlament nuk është serioz”, tha ai.
Kjo bëri që presidenti i Parlamentit, Antonio Tajani, t’i rikujtonte Juncker-it se Parlamenti e kontrollon Komisionin dhe jo e kundërta. “Të lutem, sillu në mënyrë të respektueshme”, i tha Tajani në italisht.
Ndërsa Juncker iu kundërprërgjigj në frëngjisht. “Janë vetëm disa deputetë këtu në ushtrim të funksionit të kontrollimit të Komisionit. Ju jeni qesharakë. Unë dua të respektoj maltezët”, tha ai.
Kryeministrat rumunë
“Viorica Dăncilă është kryeministrja e pestë rumune që pata kënaqësinë ta mirëpres në fillim të mandatit tim”, ka thënë Juncker të mërkurën në një konferencë të përbashkët shtypi me kreun e qeverisë rumune, që mori detyrën këtë muaj. “Do të doja që ky cikël të ndalonte dhe ajo të qëndrojë më gjatë në pushtet sepse kam filluar t’ua humbas fillin atyre që kam parë deri tani”, tha Juncker.
Viorica Dăncilă është kryeministrja e tretë socialdemokrate qëkur kjo parti fitoi zgjedhjet në dhjetor 2016.
“Ç’kemi diktator?”
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, nuk gëzon simpati të madhe në institucionet europiane. Por nëse një prej liderëve të BE-së e përshëndet “Ç'kemi diktator?”, edhe kjo nuk është diçka e pëlqyeshme. Përshëndetja e Junckerit ndaj Orbanit është kapur nga kamerat dhe përgjigjja nuk ka qenë më e mirë se pyetja.
Puthje për të tërë
Në Samitin e Riga-s, Juncker u shfaq shumë i dashur. Ai u afrua pranë një rreshti të madh liderësh, të cilëve nuk ua kurseu puthjet dhe përqafimet. Edhe një dy fyerje nuk munguan.
Është normale që një politikan të gënjejë
Në maj 2011, ndërsa ishte ende kryeministër i Luksemburgut, Juncker tha gjatë një takimi me federalistët e Lëvizjes Europiane se atij shpesh i është dashur të gënjejë dhe se politika monetare e eurozonës duhet diskutuar në “debate të errëta dhe sekrete”.



