Drejtoresha ekzekutive e AIIS, Alba Çela, foli në emisionin “Aranutistan” në MCN TV mbi procesin e integrimit evropian. Ajo tha se tani procesi është kthyer në shkurajues, ndryshe nga dikur kur aplikonte Kroacia apo vende të tjera. Çela tha se Shqipëria i ka humbur vetë disa “trena” të integrimit evropian dhe ka qenë vend me pritshmëri të larta, pasi nuk kishte konflikt dhe luftë.
Besoj se e kemi idenë mjaftueshëm për BE-në për të justifikuar dëshirën për të qenë anëtarë. Nëse do futeshim te teknikalitetet, ndoshta do kishim më pak dëshirë. Është shkurajuese mënyra si është katandisur tani, sepse ka humbur vizioni dhe shpresa. Më përpara s’ka qenë shkurajues për vendet e tjera. S’ka qenë shkurajuese për Kroacinë ku zgjati 8 vjet. Po kështu siç jemi ne tani, kur nuk e kemi të qartë kohën, do jetë gjithmonë e më shkurajues. Vetëm nëse do ndodhte një mrekulli politike do kemi hapje te negociatave. Vetoja bullgare është ende në tavolinë, dhe nuk duket se kanë arritur në ndonjë pikë të mesme. Nëse do bëhet ndonjë diplomaci e orëve të fundit…Në këtë pikë s’ka ndarje të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kërkesa do bëhet pas jo-së së radhës. Po të marrësh gjithë procesin në kohë, disa trena i kemi humbur vetë. Ne ishim i vetmi vend në rajon që s’pati një konflikt, luftë, prandaj ishte e lartë pritshmëria”.



