Reshjet e dëborës janë rikthyer në disa qarqe të vendit, duke sjellë një situatë të pazakontë për stinën e pranverës. Zonat juglindore, verilindore dhe veriore janë përfshirë nga reshje me intensitet të ulët deri mesatar, kryesisht në lartësitë mbi 300 deri në 1200 metra.
Në qarkun e Korçës, dëbora është regjistruar në zonat malore përreth Pogradecit, kryesisht gjatë orëve të para të mëngjesit. Në akset Qukës–Qafë Plloçë dhe në Qafën e Thanës, reshjet kanë qenë më intensive gjatë natës, duke krijuar shtresa të konsiderueshme bore.
Megjithatë, për shkak të temperaturave pranverore, dëbora ka nisur të shkrijë dhe aktualisht mbetet prezente kryesisht në zonat e thella malore. Autoritetet kanë ndërhyrë për pastrimin e akseve kryesore, të cilat raportohen të kalueshme pa probleme.
Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Dibër, ku reshjet e dëborës kanë përfshirë zonat mbi 300 metra mbi nivelin e detit, duke zbardhur fshatrat dhe terrenet malore.
Reshjet kanë vështirësuar qarkullimin në rrugët rurale dhe kanë krijuar probleme për banorët e zonave të thella.
Ndërkohë, temperaturat e ulëta paraqesin rrezik për kulturat bujqësore dhe pemët frutore në lulëzim, megjithëse reshjet pritet të ndikojnë pozitivisht në rritjen e rezervave ujore.
Edhe në qarkun e Shkodrës, dëbora ka përfshirë zonat turistike malore si Razma, Boga, Vermoshi, Lëpusha, Qafë-Thore dhe Thethi. Që prej mbrëmjes së kaluar, këto zona janë zbardhur nga reshjet, por fatmirësisht pa shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike apo në qarkullimin rrugor.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në zonat malore, për shkak të kushteve të paqëndrueshme atmosferike.



