
Pas pesë ditësh mungesë të ujit të pijshëm, ka nisur furnizimi i një pjese të qytetit të Vlorës, konkretisht zona e Lungomares.
Sipas raportimit të korrespondentes së "MCN Live", Ariola Hasani, furnizimi aktualisht nuk po realizohet me kapacitet të plotë, pasi pajisja e re do të hyjë gradualisht në punë dhe po testohet për të garantuar funksionimin e saj të plotë.
Defekti në tubacionin kryesor të furnizimit është riparuar pas mesnate.
Rregullimi i tubit u përfundua rreth orës 4:00 të mëngjesit, dhe që nga ai moment ka nisur furnizimi i depove të qytetit me ujë.
Për të riparuar tubacionin, punonjës të Ujësjellës-Kanalizimeve në Vlorë punuan gjatë natës, duke përdorur pjesët e sjella nga Turqia për të zëvendësuar segmentin e çarë të tubacionit, nga i cili mungonte uji i pijshëm.
Aktualisht, disa zona të qytetit po furnizohen me ujë, ndërsa pjesa tjetër pritet të marrë furnizim gradualisht gjatë orëve të ardhshme.
Megjithatë, furnizimi nuk po realizohet me kapacitet të plotë, pasi pajisja e re e instaluar po testohet për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm dhe të sigurt të sistemit.
Deri tani, pajisja është në rregull dhe po kryhen testime për ta vënë në funksion të plotë pas disa orësh për tërë qytetin.



