Ish-kryeministri Berisha deklaroi sot se në 9 vite Partia Demokratike e humbi nervin dhe idealet në të cilat besonte.
Duke folur në Konventën Kombëtare të grupimit “Dhjetor ’90” Berisha tha se revolucionin sot do e fitojnë ata që i besojnë revolucionit të vitit 1990.
Në 9 vite PD e humbi nervin. Revolucionin sot do e fitojnë ata që i besojnë revolucionit të ’90. Në ’90 ishim në grevë urie, të ngrenë dhe të pangrënë, në qytete dhe fshatra. Na gjuanin me gur dhe drru. Vazhduam rrugën tonë.
Kur një qeveri performon, konsolidon funksionin e shtetit ligjor, mund të qeverisë edhe 16 vite dhe opozita kur të bëhet më e aftë e ndërron. Po këtu qeveria nuk lë qytetarët të votojnë. Shqipëria po tretet, po shuhet. Nëse një kombi i ikin në 8 vite 937 mijë qytetarë në Evropë dhe mbi 1 milion në botë, ku është e ardhmja, kush qëndron. Do ngelen ata që nuk ka kush t’i varrosë. Sirenat e alarmit duhet të bien në shpirtin e çdo shqiptari.
Revolucioni nuk kryhet në një ditë, PD humbi nervin, humbi idealet për të cilat ka besuar. Çfarë ndodhi me ne. Opozitë për të tretën herë.



