Kompania franceze e naftës dhe gazit, Total, ka nënshkruar një marrëveshje financiare në vlerë prej 14.9 miliardë dollarë (13 miliardë euro) për një projekt gazi në Mozambik, ku u zbuluan rezerva të mëdha në det në vitin 2010.
Financimi është siguruar për një projekt prej 23 miliardë dollarësh të gazit natyror të lëngshëm (LNG), në provincën veriore Cabo Delgado, afër kufirit me Tanzaninë.
Marrëveshja pritet ta kthejë Mozambikun në një eksportues të madh të energjisë në të gjithë botën dhe ka potencialin për të transformuar ekonominë e vendit.
Ai përfshin zhvillimin e fushave të gazit natyror Golfinho dhe Atum dhe ndërtimin e një impianti të lëngëzimit me një kapacitet të përgjithshëm prej 13.1 milion ton në vit.
"Ky është financimi i projektit më të madh ndonjëherë në Afrikë dhe do të financohet nga kredi direkte dhe kredi të garantuara nga tetë agjenci krediti eksporti, 19 banka tregtare dhe Banka Afrikane e Zhvillimit", tha kompania në një deklaratë.
Kjo marrëveshje u nënshkrua megjithë paqartësitë e shkaktuara nga kriza e koronavirusit dhe përkundër një kryengritjeje të armatosur në rajon.
Mozambiku i Veriut është skena e një kryengritjeje islamiste, e cila tashmë ka marrë të paktën 1.300 jetë që nga viti 2017, sipas OJQ-ve që veprojnë atje. Kjo i ka ndërlikuar planet e qeverisë për të zhvilluar nxjerrjen e rezervave të gazit në rajon .
Në fillim të korrikut, personat e armatosur sulmuan dhe vranë tetë punonjës të një kompanie private që punonin në projektin e nxjerrjes së gazit natyror të lëngshëm.



