Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur nga mbledhja në Partinë Demokratike me kryetarët e degëve, nga ku ka dhënë mesazhe të qarta për protesta masive në vend.
Lidhur me këtë, analisti Ilir Kalemaj në studion e lajmeve në ‘MCN TV’ deklaroi se protestat janë të vonuara pasi ka shumë revoltë dhe pakënaqësi popullore dhe se aktualisht jemi në një situatë të vështirë.
Ai tha se kur qytetarët protestuan për rritjen e çmimit të naftës atyre nuk ju bashkua as opozita e Bashës dhe as ajo e Berishës, prandaj Kalemaj shprehet se nuk e di sa legjitimitet moral ka opozita për të udhëhequr këto protesta.
Nga një anë protestat janë të vonuara dhe s’bëhen përmes një kalendari politikë. Opozita duhet të jetë lokomotiva që udhëheq protestat popullore. Opozita është e ndarë në 3 copa të paktën, kështu që nuk e di sa legjitimitet moral ka opozita për të udhëhequr këto protesta. Kur kishim protesta për çmimin e naftës opozita e Bashës apo Berishës nuk ju bashkëngjit atyre. Ne jemi në një situatë jashtëzakonisht të nderë, kështu që ka shumë revoltë dhe pakënaqësi popullore nga jugu në veri dhe jemi duke shkuar drejt një situate shumë të vështirë, por që në Shqipëri nuk flitet dhe nuk protestohet. PD vazhdon të jetë e përçarë dhe kjo është avantazh për Ramën.
Ndërsa lidhur me një deklaratë të deputetit gjerman Piter Beier se Berlini nuk jep mbështetjen për një opozitë që udhëhiqet nga një person non grata, Kalemaj deklaroi se është mjaft e qartë që ata nuk do bashkëpunojnë me një parti të drejtuar nga Berisha.
Është shumë e rëndësishme që Gjermania sidomos CDU që ka mbështetur më shumë dhe është partia më e madhe e djathtë vjen me deklarata të tilla të cilat rezonojnë me ato të Uashingtonit, e thënë troç që ata nuk janë dakord të bashkëpunojnë me një parti të drejtuar nga Berisha.



