Analisti Denis Dyrnjaja komentoi në MCN Live disa nga ngjarjet më të rëndësishme politike në vend, nga lëvizjet e opozitës, kaosi në Parlament, deri te zhvillimet brenda PS-së. Lidhur me situatën e krijuar në Kuvend, Dyrnjaja thekson se ajo do krijojë unifikim të brendshëm, por nuk beson se do të prodhojë një fitore politike në raport me mazhorancën. Analisti thotë se efekti do jetë i papërfillshëm, për shkak të përsëritjes në formë e përmbajtje.
Kjo është panorama normale e një Parlamenti shqiptar. Besoj që ishte e shumëpritur, Parlamenti kishte rënë në letargji. Kjo është fytyra e politikës shqiptare, kështu merren vesh shqiptarët kur bëjnë politikë, kur bëjnë vendimmarrje. Përveçse në mënyrë ironike s’mund ta trajtosh ndryshe seriozisht këtë pano, e cila është edhe dhuratë e mazhorancës, sepse nuk mundet dot të bllokosh iniciativat e opozitës për komisione hetimore. Opozita kur i thonë vetëm fjalën ka, s’ka një element tjetër. Duke krijuar këtë lloj mënyre, këtë lloj ngërçi, natyrisht do vinte kjo situatë. Socialistëve u intereson kjo situatë për të thënë që opozita është refraktare, në pozitat e agresivitetit, grindavecllëkut, edhe Ramës i intereson kjo lloj mënyre.
Për sa kohë ka kaos, kështu do ndodhë, do votohet me shpejtësi. Në një farë mënyrë kjo krijon një lloj soliditeti për opozitën me atë fragmentizim që ishte bërë. Krijon një lloj përbashkimi, tejkalon në një farë mënyrë gjithçka që janë thënë kundër njëri-tjetrit. E rëndësishme është a do të prodhojë dot efektin e nevojshëm në elektorat. A po e bllokojnë vërtet Parlamentin? Unë them se jo, Parlamenti po i voton ndërkohë. Kjo thjesht tregon që opozita është zgjuar, është aty, por me të njëjtat metoda, me të njëjtën mënyrë dhe formë dhe s’e di sa do t’i prodhojë ndryshe nga e shkuara që s’i ka prodhuar asgjë në kuptimin politik. Në kuptimin e unifikimit ndoshta kjo i prodhon diçka. Prapë fitorja është brenda opozitës, por jo në raport me mazhorancën. Nuk e di a do përçojë dot një mesazh të fortë për publikun dhe elektoratin, kjo lloj forme dhe kjo lloj mënyre. Ndoshta ne jemi gabim, ata që merren me politikë e kalkulojnë më mirë se ne. Unë shoh që një palë kanë ngritur kartonat, një palë kanë ngritur karriget. Si do ta përkthejnë njerëzit, do jenë me këta që ngrenë kartonat, apo këta që ngrenë karriget, s’e përcaktojmë ne. Unë mendoj se për shkak se forma është e përsëritur, përmbajtja po ashtu, efekti për mua do jetë i papërfillshëm”.
Dyrnjaja vë në dukje se fakti që opozita ka kusure pushteti, si dhe përfaqësues të saj kanë vila në Gjirin e Lalzit, bashkë me kolegët e mazhorancës, kjo krijon pabesueshmëri te aksioneve të tyre te njerëzit.
Në qoftë se do ishte një opozitë tjetër, që s’do kishte me vete shumë kusure pushteti, afera pushteti gjithashtu, natyrisht do kishte efekt çdo lloj revolte, proteste, nga karrigia, tymi, bllokimi i rrugëve, protestat. Problemi është që vila në Gjirin e Lalzit kanë edhe pushtetarët edhe opozitarët. Nëse Noka ka vilë në Gjirin e Lalzit, Jorida Tabaku ka vilë në Hamallaj, siç ka Berisha, Meta, Ahmetaj. Nëse bashkëjetojnë në këto vilat luksoze dhe janë prodhim i aferave të pushtetit kjo prodhon vetëm pabesueshmëri për njerëzit. Prandaj ka pabesueshmëri në këtë histori. Qarkullon një lajm në 48 orët e fundit që bashkëshortja e Palokës është investitore strategjike. Mund të mos jetë e vërtetë, por opozita nuk është në atë pjesën e vet të integritetit moral, të jetë e kristalte, që të pretendojë që kjo pala këtej është e pisët dhe ne jemi të pastër”.
Duke folur mbi kryeministrin Rama, dhe rolin e kreut të PD-së zyrtare Basha, analisti shton:
Duhet gjetur një mënyrë tjetër kundër Ramës, me këtë mënyrë Rama vazhdon edhe dy mandate të tjera. Rama s’ka shanse ta lërë vet pushtetin pa e rrëzuar. Është njeriu më i interesuar që opozita të jetë e hallakatur fare, siç është. Basha rri pret. Është njeriu më komod, se fle politikisht, ka letargjinë e vet politike, dhe në një moment kur ai do zgjohet nga ëndrra e gjatë, mendon që ai moment që do zgjohet do përkojë me një rrethanë të shkretë politike, dhe do t’i thonë hajde se na duhesh ti për të qenë kryeministër! Të paktën kjo është ëndrra që po sheh tani Basha në gjumin e tij letargjik. Është një element me ndikim zero me mënyrën si bëhet politikë në Shqipëri. Sido që t’i bëj llogaritë Basha, maksimumi i tij është deputet me dy tre vetë pas. Të pretendosh që Basha do jetë e nesërmja e politikës është baraz me ndërrimin e gjinisë!”.
Sa i takon grevës si formë e aksionit politik, dhe dinamikave mes grupimit Berisha-Bardhi, Dyrnjaja shton:
Unë grevë të vërtet urie të fundit që mbaj mend është me të ndjerin Pjetër Arbnori. Këto sakrificat e tjera me uri, janë pseudo, sepse kanë ngrenë e janë zhdëpur. Këtu i kanë kthyer grevat e urisë qesharake, sepse hahet e pihet rregullisht. Do thoja më mirë mosbindje civile, por s’e di sa do ta pranojnë njerëzit, por është më efektive se sa greva e urisë. Para një viti flitej masivisht për revolucionin. Unë nuk thashë tha Berisha që do kryhet revolucion, por e kemi parë si opsion. Opozita është e paqartë, e pasigurt në hapat që do hedhi. Elektorati i opozitës është i lodhur nga nismat e turbullta dhe përçarja e opozitës. Të dyja palët nuk e duan njëri-tjetrin, të dyja palët po përpiqen ta shfrytëzojnë njëri-tjetrin. Berisha po përpiqet të shfrytëzojë Bardhin, sepse ka një efeiçencë më të madhe në Parlament, se sa Noka apo Shehu. Edhe Bardhit dhe grupit të vet i intereson ky protagonizëm politik, pasi mendon se së shpejti Berisha do ketë një fund politik. Mospjesëmarrja e Ramës në Kuvend është një problem shumë i madh, një fyerje. Qoftë si qoftë opozita, qoftë si qoftë fjalori dhe niveli politik i opozitës, kryeministri e ka detyrim kushtetues, institucional dhe elektoral. Vet kryeministri s’mund të bëjë ‘pelegrinin politik’! Opozitën s’e zgjedh kryeministri, opozitën s’e zgjedh mazhoranca. Edhe mazhoranca s’mund t’i zgjedhë opozitës njerëzit e saj dhe t’i caktojë drejtuesin e saj. Le ta caktojnë vet ata se kush duan t’i drejtojnë, dhe kush është njeriu që duan në krye të grupit parlamentar, nuk ka punë mazhoranca”.
Ndër të tjera Dyrnjaja tha se Kongresi i PS shtyhet sepse mund të ketë goditje të tjera nga SPAK ndaj mazhorancës. Sipas tij nëse prefektit do t’i japim tagrin për shkarkimin e kryetarit të bashkisë, kjo na sjell një centralizim vertikal të pushtetit, nga kryeministri te kryetari i bashkisë.



