
Deklarata e kryeministrit Edi Rama për reformimin e Policisë së Shtetit ka qenë tema e ditës së sotme në vend. Pikërisht këtë komentoi nga studio e lajmeve në MCN TV edhe analisti Mustafa Nano.
Sipas tij një polici e besueshme nuk mund të ndërtohet kur kjo nismë përkufizohet nga kryeministri, i cili përfaqëson një palë politike në vend. Nano tha se duhet të angazhohen njerëz të tjerë profesionistë në këtë fushë, ndërkohë që theksoi se kryeministri nuk është personi i duhur.
Intervista:
Të ndalemi fillimisht tek arrestimi i kryebashkiakut socialist të Lushnjës. Pyetja qe kam është nëse SPAK ka vepruar politikisht në kuptimin që ka pritur të lëshojë urdhër-arrestet pas zgjedhjeve?
Nano: Sa herë që SPAK do të veprojë do ketë një ngjarje tjetër që gjithkush mund ta lidhë, kështu i bie që SPAK të mos veprojë asnjëherë. Nga situata në të cilën ndodhemi dhe deri tek akuza që mund të ngremë është distancë e gjatë për ta mbushur me një akuzë. Nuk e përjashtoj hamendesimin që mund të lindë nga pyetja juaj, por vendimet e SPAK duhet ti mirëpresim.
Ambasadoren Juri Kim e shohim aktive ne nxitjen e punës së SPAK. Mendoni se ka rol ambasadorja amerikane ne atë qe mund ta quajmë listë e zeze e Prokurorisë së Posaçme, pra përzgjedhjen e emrave që goditen?
Nano: Nuk besoj, do ishte në nivelet e estradës nëse ajo do informohej se kush është kryebashkiaku i Lushnjës. Ajo është shumë aktive, por kjo është ambasadorja amerikane gjatë punës së të cilës kanë ndodhur ngjarje shumë interesante. SPAK-u nuk e besoj se kontrollohet nga amerikanët në detaje të tilla, rolin e tyre e shoh nxitës por jo diktues. Nuk kam fakte për ta thënë këtë gjë.
Po flasim për një kryebashkiak me 3 mandate dhe ish-deputet po ashtu. Përtej përgjegjësisë individuale, a duhet të mbajë përgjegjësi Partia Socialiste për krijimin e te ashtuquajturve "feudeve* lokale te drejtuara nga njerëz me probleme me ligjin?
Nano: Absolutisht. Njerëz që janë zgjedhur nga populli dhe kanë abuzuar, ndërkohë që PS ka përgjegjësinë e përzgjedhjes. Përveç përgjegjësisë unë u heq kapelën këtyre që nuk i marrin në mbrojtje. Është medalje me dy anë edhe për qëndrimin që është mbajtur edhe për përgjegjësinë për përzgjedhjen.
Kthehemi te ajo që u konsiderua çështje e ditës, dushi i ftohtë që kryeministri i bëri policisë. Sa i besueshëm është zoti Rama në garancitë që jep për reformimin e policisë kur në 8 vjet nuk pranoi asnjë kritikë, ndërsa sot flet për një organizate me njerëz të infiltruar?
Nano: Këtu nuk është problemi i Ramës siç e latë ju të nënkuptohej. Ne na duhet një polici profesionale dhe e besueshme për publikun, për të gjithë. Por një polici e besueshme nuk mund të ndërtohet kur kjo nismë përkufizohet nga kryeministri që përfaqëson një palë të caktuar dhe nuk di si mund të riformohet. Mendoj se mund të angazhohen njerëz të tjerë, por jo kryeministri. Nuk është ai personi i duhur.
Si ka ndryshuar Policia e Shtetit në këto vite?
Nano: Policia me gjithë përparimet që ka bërë nuk është në nivelin që kërkon 2021-shi. Jam i sigurt që këdo po të shohin nga VIP-at do ti toleronin. VIP-at nuk kanë diferencë nga secili nga qytetarët e tjerë të Republikës.



