Kryeministri Edi Rama përcolli një mesazh publik në lidhje me akuzat që kundërshtari i tij politik, kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka fabrikuar ndaj tij.
Akuza e fundit e fabrikuar nga opozita është përfshirja e vëllait të tij, Olsi Rama në dosjen e Xibrakës e bërë një vit më parë nga deputeti Gazmend Bardhi.
Duke iu referuar përfundimeve të hetimeve dhe konkluzioneve të SPAK se nuk ka asnjë provë për përfshirjen e Olsi Ramës, Rama tha se vëllai i tij u përdor për ta sulmuar.

Vitin e shkuar, deputeti Gazmend Bardhi, jashtënxorri në publik një akuzë ekstreme ndaj vëllait tim, Olsi Rama. E denoncoi, gjykoi dhe dënoi në publik si trafikant droge, duke krijuar rrethanat tipike të një kallzimi të rremë, përmes një sajese kriminale, mbi bazën e një dosjeje të vjetër të prokurorisë për një grup trafikantësh. Nuk jam shpjeguar deri më sot.
Më në fund, pasi ka pyetur këdo ka parë të arsyeshme dhe ka hetuar gjithçka ka konsideruar të nevojshme, SPAK-u deklaroi se ka arritur në përfundimin që Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me personin e paindentifikuar të dosjes në fjalë dhe nuk ka asnjë provë apo fakt që të lidhë tim vëlla me aktivitetin kriminal.
Pra, me fakte e me prova, jo me hamendësime e me fabrikime, është katërcipërisht e qartë, se im vëlla u përdor si mish për top, për të më goditur dhe rrëzuar mua në sytë e opinionit publik.
Tani, kjo nuk është goditja e parë e këtij lloji për mua, s’ka se si të jetë as e fundit nga një parti e ashtuquajtur demokratike, që është pengu historik i një katrani me bojë, i cili e ka kapur për fyti atë parti, qysh në lindje të saj dhe e ka përdorur si një zorrë private, për të jashtëderdhur në publik të gjitha nevojat e një lufte politike vulgare, pa asnjë respekt për të vërtetën, për njeriun, për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe.
Më kanë bërë përdhosës të familjes time, duke më akuzuar se në gjyqin e divorcit, unë kam akuzuar gruan time se djalin tim e kishte me babain tim. Më kanë bërë homoseksual, biseksual, transeksual. Edhe mund të kisha qëlluar një nga të treja këto ose dhe të treja bashkë. Më kanë bërë dhunues grash, madje dhunues të ndjesë pastë nënës time.
Më kanë bërë skizofren me kartelë mjekësore. E kanë fabrikuar dhe publikuar edhe kartelën, si trakt të luftës pa din e as iman kundër meje, që vazhdon prej kaq e kaq vitesh.
Më kanë bërë me dyqind apartamente në Shqipëri dhe Europë, e me dyqind milionë dollarë dreqi e di ku. Më kanë bërë me saraje dhe ç’nuk kanë fantazuar, thënë e shkruar, për si është ndërtuar, e me çfarë lekësh është ndërtuar shtëpia jonë.
Gati çerek shekulli akuza pa asnjë çerek prove, ku më kanë bërë si veten; politikan që marr pjesën nga firmat që hedh, duke futur duart në buxhetin e shtetit dhe në xhepat e sipërmarrësve që ndërtojnë kulla apo partneritete me qeverinë.



