Avokatja Nexhi Beqiri analizoi në studion e lajmeve ngjarjen e një dite më parë në Devoll, ku një burrë i vuri flakën gruas së tij, me të cilën ishte në proces divorci. Beqiri tha se është i domosdoshëm forcimi i mekanizmave të parandalimit të rasteve të dhunës në familje.

Është një ngjarje makabër. Ajo që është e rëndësishme është cilat janë ato levat që parandalojnë ngjarje të tilla. Policia nuk mund të jetë në çdo familje. Nuk mungojnë ligjet. Ka urdhra mbrojtje që nëse një grua ndien që është e kërcënuar, i kërkon. Në këtë rast, zonja nuk e ka kërkuar. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur konflikte.

Gratë nuk kanë shkuar asnjëherë të vrasin gratë që u kanë kërkuar divorcin apo i kanë tradhtuar. Burrat po. Pra nuk kemi të bëjmë me diskriminim, por me njerëz pa përgjegjësi.

Beqiri shtoi se pavarësisht se janë forcuar ligjet, fenomene të tilla vijojnë të mbeten shqetësuese për Shqipërinë.

Shumë gra janë ndërgjegjësuar për të kërkuar të drejtën e tyre. Por shiko çfarë ndodh. Vjen ish-burri dhe bën gjënë më makabre. Kjo është çmenduri. Ta vrasësh me benzinë, ta djegësh, është rrethanë rënduese për autorin.

Ngjarje si kjo krijojnë dhimbje të madhe. Zonja duhet të kalojë një proces të gjatë shërimi. E rëndësishme është që nuk iu mor jeta. Por ky mjet i përdorur për t’i marrë jetën bashkëshortes do t’ia rëndojë dënimin autorit.

Në këtë pikë, Shqipëria është në parametrat e një vendi që po kërkon t’i japë gruas vendin e duhur. Fenomene të tilla mund të minimizohen sepse janë bërë shqetësuese për Shqipërinë.

Gruaja është shumë më e interesuar ta mbajë familjen, që fëmijët të edukohen në prani të babait dhe të nënës. Gratë durojnë shumë. Ato vendosin të ndahen kur e shikojnë që nuk ka më ura, kur e shohin që konflikti mund të agravojë në situata si ajo e djeshmja.