Lëvizja universitare ka zhvilluar ditën e sotme një forum me studentë e pedagogë në vazhdim të protestës dhe bojkotit të tyre në mungesë të përmbushjes së kërkesave që kanë shtruar për qeverinë.
Gjatë këtij forumi ata kanë thënë se nuk do ishin në këtë mbledhje nëse do të kishin kontrata kolektive për punën e tyre në universitete. Pedagogia Enkelejda Olldashi e Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë shtoi se pedagogët sot nuk duhet të ndihen sikur janë të punësuar, pasi punëdhënësit e tyre sipas saj janë vetëm studentët e jo drejtuesit e institucioneve.
Ata që janë gjithmonë të përkohshëm në një marrëdhënie pune janë punëdhënësit, ne jemi të përhershëm”, u shpreh një prej pedagogeve. Ne ofrojmë një shërbim, nuk i konsideroj më drejtuesit punëdhënës, vetëm studentët. Ata që na japin punë përditë janë studentët tanë, me ata i kemi marrëdhëniet e punës. Duhet të artikulojmë një platformë dhe më pas të negociojmë një marrëveshje. Ne duhet të ndihemi sikur nuk jemi të punësuar sot. Shumë profesorë na janë bashkuar, janë ata që dalin dhe kanë kurajë të dalin përballë.
Ndërsa, Pedagogia e Fakultetit të Shkencave të Natyrës Mimoza Hafizi gjatë fjalës së saj në forumin universitar deklaroi se nëse rektorët e universiteteve do bashkoheshin me protestën politika nuk do të mund të refuzonte kërkesat e tyre. Sipas saj pjesa administruese dhe ajo e pedagogëve ne universitete janë në dy universe të ndryshme paralele pasi asnjëra nga palët nuk dëshiron të dijë se çfarë ndodh me palën tjetër. Ajo shtoi se pjesa drejtuese duhet t’i japë llogari trupës akademike dhe jo politikës, ndërsa propozoi se asnjë drejtues nuk duhet të ketë më shumë se një mandat në këtë rol.
Unë kam folur shumë dhe do kisha dashur që ta marrë fjalën rinia, para 2 vitesh kandidova për rektore të universiteti Tiranës dhe këto problematika i kam diskutuar, një nga kërkesat kryesore ka qenë rritja e pagës së pedagogëve. Nëse rektori bëhet bashkë me gjithë trupën situata është e pa rezistueshme për politikën, universitetit dhe pedagogëve u takon një rrogë e tillë. Dua të them që le ta hedhim shikimin drejt vetes, ku janë problemet tona. Nëse zgjidhim disa nga problemet e brendshme jemi shumë më të fortë edhe para politikës, në administrimin e universitetit jemi një bashkësi. Nga ana tjetër janë administratorët që kemi zgjedhur vetë që janë kthyer në 2 universe paralele, pedagogët janë të interesuar në punën e tyre dhe nuk duan t’ia dinë çfarë ndodh në administrim, ndërsa pjesa drejtuese nuk do të dijë çfarë mendojnë pedagogët. Kjo situatë mori përmasa ekstreme gjatë kësaj proteste ku autoritetet tona drejtuese kanë pasur një sjellje të pashembullt. Nëse mendojnë se nuk kemi të drejtë le të na bindin me arsye, edhe për atë përqindjen që thotë kryeministri është apo jo e mundur. Kjo po bie në kurrizin tonë.
Fjalën në këtë protestë e ka marrë dhe asnalisti Shpëtim Nazarko i cili ka deklaruar se propozimi i qeverisë për të pranuar rrogën dhe për të gjetur punë tjetër për të rritur të ardhurat është shumë e vështirë. Sipas tij pedagogu kështu kthehet në nja hamall pasi nuk mund të përgatitet për të nesërmen dhe për detyrat e lidhura me pedagogjinë.
Rezulton se ne jemi praktikisht në dorë të qeverisë që i bie shumë thjesht, ju do merrni këtë rrogë dhe po doni ta shtoni bëni një punë të dytë, kjo është shumë e vështirë, sepse pedagogu kthehet në një hamall, që nuk përgatitet për të nesërmen. Kërkimi shkencor është projekt individual, shumica ka një detyrë të lidhur me pedagogjinë. Vijmë te problemi kryesor, nuk do t’i gjejë gjithë këto para qeveria për të plotësuar kërkesat, mendoj se ka më shumë se mendojnë ata. por si? Më parë bëhej jo vetëm mësim por edhe praktike, gjë që mund të ulë taksat e studentëve dhe të krijojë një borgjezi profesorale. Marrim një shembull tjetër, në vitin ’93 në Gjermani u është bërë thirrje universiteteve që të zgjidhnin një problem të vendit, po këtu kush do ta bëjë. Nuk mund ta bëjë dot një nëpunës i ministrisë, mund ta bëjnë pedagogët dhe profesorët që përbëjnë një arsenal të madh për këto probleme.



