
Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Eno Bozdo nga shkolla “Vasil Shanto” në Tiranë ku vijon numërimi i votave, deklaroi se procesi vijon përgjithësisht i qetë, por ngriti shqetësim për rënien e standardeve zgjedhore.
Duke folur për MCN Tv, Bozdo deklaroi se do të jemi dëshmitarë të raporteve ndërkombëtare dhe shprehu bindjen se do të hasen të dhëna dhe shumë shqetësuese për rënien dhe bjerrjen e ndjeshme të standardit zgjedhor.
Sipas tij, me përjashtim të vitit 1997 kjo është pika më e ulët e standardit zgjedhor që ai tha se ka parë ndonjëherë dhe se përtej OSBE-ODHIR dihet se çfarë ka ndodhur.
Pjesëmarrja e administratës ka qenë masive në nivelin qendror dhe vendor, presioni është mbi vendet e punës.
Nuk besoj se shit-blerja e votës ka qenë fenomen shumë i përhapur në Tiranë, por në Veri dhe në Jug më se i përhapur. Elementë kriminalë apo politikanë të përfshirë në krim janë të angazhuar.
Marr rastin e Kukësit që është rasti ekstremal, thelbi është ky, rënia e standardit zgjedhor.
Nga viti 2013 kur u shënuan zgjedhjet më të mira, të gjitha zgjedhjet e tjera kanë shënuar rënie të ndjeshme të standardit zgjedhor dhe fatkeqësia është që rënia nuk ndalet.
Problemi sot nuk është pse humbi Partia Demokratike, por me ç’mënyrë mund të veprojmë për të ruajtur ekuilibrin social dhe ekonomik të vendit.
Se nëse do lihet çdo gjë në rënie të lirë, zgjedhjet e radhës do të jenë dhe më keq. Një skuadër e veçantë brenda PD ka funksionuar për të regjistruar parregullsitë e procesit zgjedhor në fushatë.
Dosjet janë dërguar te ndërkombëtarët dhe OSBE-ODHIR, ndërsa numërimi vijon në gjithë territorin janë duke u dokumentuar shkelje të tjera.
Shit-blerja e votës kërkon dëshmi, se ndodh larg syve të mediave. Administrata qendrore dhe vendore është e përfshirë si kurrë më parë.
Partia Demokratike do të hapet dhe rritet nëse bisedon sinqerisht me shoqërinë shqiptare.



