Ish-minsitri i Punëve të Jashtme në Kosovë, Enver Hoxhaj i ka cilësuar zgjedhjet në Kosovë si një fitore e opozitës.
Në një lidhje skype në studion e lajmeve në MCN TV Hoxhaj deklaroi se besimi ndaj Kurtit dhe qeverisë së tij ka rënë në mënyrë drastike, ndërsa shtoi se ai nuk ka një program, vullnet ambicie për të përmbushur njohjet dhe anëtarësimet.
Lidhur me nismën e Open Balkan, Hoxhaj tha se ka një paqartësi, por në Kosovë sa herë diskutohet çështja e Ballkanit perëndimor më shumë është menduar në çështjen e parullave dhe nuk ka një mendim të plotë se cilat janë përparësitë dhe rreziqet. Sipas tij Kosova duhet të jetë e hapur ndaj bashkëpunimit rajonal.
Ndërsa sa i përket dialogut Kosovë-Serbi dhe nëse ka një zvarritje të këtij procesi, ai shprehet se qeveria dhe Kurti nuk i besojnë një procesi të tillë dhe se në një plan afatgjatë kjo do e dëmtojë Kosovën.
Intervista e plotë
1. Z. Hoxhaj ta nisim me një zhvillim të rëndësishëm si zgjedhjet në Kosovë. Si e lexoni ju rezultatin e tyre?
Padyshim një fitore e opozitës dhe mendoj se janë një fitore e Kosovës meqë Kurti dhe qeveria e tij kanë një shumicë në pushtetit qendror. Është një situatë e mirëfilltë demokratike.
2. Mendoni se dorëheqja e z. Kurti është skenar objektiv në kushtet e reja politike në vend?
Ne kemi pas dy palë zgjedhje nacionale dhe lokale. Kurti u dorëhoq vitin e kaluar dhe mendoj se tani ai ka marrë mandatin dhe qytetarët presin rezultate ndaj tij. Besimi ka rënë drastikisht ndaj Kurtit dhe qeverisë së tij.
3. Ka një problem ne pamje te pare edhe personal mes z. Kurti dhe z. Rama, sikundër qëndrimet e Kurtit komentohen si ekstremiste ne Beograd. Si po ndikon sipas jush personaliteti i kryeministrit te Kosovës ne politiken e saj te jashtme?
Nuk mendoj se politika e jashtme është çështje e personbaliteve. Ajo që shihet te Kurti është se nuk ka program, vullnet, ambicie për ti përmbushur, prandaj as njohjet dhe anëtarësimet as një politikë aktive, as kultivimi i partneritetit nuk janë prioritet i politikës së jashtme të Kurtit. Pothuajse nuk ka fare politikë të jashtme.
4. Ka një paqartësi të madhe për nismën Open Balkan? Kush është investitori kryesor i saj - nga aktorët e mëdhenj po flasim - dhe pse Kosova e refuzon pjesëmarrjen në të?
Pajtohem se ka një paqartësi, por në Kosovë sa herë diskutohet çështja e Ballkanit perëndimor më shumë është menduar në çështjen e parullave dhe nuk ka një mendim të plotë se cilat janë përparësitë dhe rreziqet. Nga Kosova kjo shihet si një projekt i dominimit të Serbisë mbi Ballkanin. Ne duhet të jemi të hapur ndaj bashkëpunimit rajonal.
5. Lidhet nisma në fjalë deri diku me daljen nga skena të Angela Merkel dhe duhet ta besojmë z. Rama kur thotë se Open Balkan është thjesht një mekanizëm zbatues i Procesit të Berlinit?
Mendoj se Rama ka të drejtë ta lexojë në një mënyrë të tillë, por mendoj se pas largimit të Merkel, zgjerimi nuk është prioriteti i BE. Kjo është dhe arsyeja pse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk nisën dot negociatat. Në një kohë kur Bullgaria ka bllokuar zgjerimin kanë zgjedhur hapa të vegjël ranojal pë të arritur te integrimi. Pra janë përpjekje për të mbajtur rajonin të angazhuar që të lëvizë drejt integrimit.
6. Z. Hoxhaj së fundmi po flitet shpesh për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. I dërguari i Posaçëm për Bosnjën, Shmit ka cilësuar mundësinë e ndarjes ndërkohë që edhe kryeministri britanik ka folur për skenarë të ngjashëm. Sa reale është rikthimi i konfliktit në Ballkanin Perëndimor?
Duket që është situatë seriozë më shumë sesa raportohet. Çdo ditë marrim vesh se komuniteti serb atje armatoset dhe lidershipi atje flet për ndarje. Kjo nënkupton dhe shpërbërje të Bosnjës dhe kjo ka ndikim direkt në gjithë rajonin. Vëmendja e ditëve të fundit mund ta tejkalojë një situatë të tillë por kjo situatë mbetet serioze.
7. Britania e Madhe ka caktuat një të dërguar të posaçëm për rajonin, ShBA po ashtu ka një të tillë, z. Lajçak përfaqëson BE. Çfarë mesazhi përcjell kjo thyerje në politikën e Perëndimit në Ballkan?
Tregon se ka vëmendje evropiane amerikane por kjo e fundit tregon se Britania edhe pse u largua nga BE e sheh si prioritet të dorës së parë angazhimin e saj në Ballkan. Edhe për shkak të situatës në Ballkan çdo angazhim i Britanisë në bashkëpunim me partnerët tanë është i mirëseardhur si rrugë e vetme që të mbrohet demokracia dhe investimi perëndimor në Ballkan.
8.Dialogu Kosovë-Serbi si po ecën, mendoni se po zvarritet?
Mendoj se qeveria dhe Kurti nuk i besojnë një procesi të tillë dhe me një plan afatgjatë kjo do e dëmtojë Kosovën. Për Kosovën do ishte një situatë e favorshme për aq kohë sa Buiden është në shtëpinë e bardhë dhe ne duhet të përdorim këtë situatë dhe ta përmbyllim. Mosanëtarësimi i Kosovës në OKB nuk shihet si një problem serioz nga qeveria. Dhe nëse kjo zgjatet në pafundësi do shtohet edhe më shumë vështirësia. Për Kosovën është jetike përmbyllja dhe anëtarësimi në OKB për të treguar se Kosova ekziston.



