
Deputeti i PD Saimir Korreshi deklaroi në MCN Live se ai vetë nuk është i pozicionuar pro asnjë grupimi brenda selisë blu, qoftë të Bashës apo Berishës.
Ai tregoi për herë të parë se ka pasur dikur kontradikta me Alibeajn në bazë, por u shpreh i sigurt se ky i fundit nuk është vegël e Ramës dhe nuk përfaqëson as Bashën në PD.
Kur u pyet lidhur me një emër për Presidentin e ri, Korreshi përmendi Visar Zhitin.
Korreshi tha se nëse mazhoranca do ketë kritere dhe procedura, PD duhet të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së kryetarit të shtetit me një propozim të vetëm.
Të gjitha palët thonë është koburja ime. Gjithë deputetët duhet të kenë mirëkuptimin dhe vizionin që të ulen me njëri tjetrin dhe të vendosin dakordësitë nëse do hyjmë apo jo për Presidentit. Është po kjo PD që ka ndryshuar kushtetutën në vitin 2008, që presidenti të zgjidhej me 71 vota. Nuk është e vërtetë që një pjesë e grupit do të negocioj me Ramën. Koha nuk i ka dhënë të drejtë PD-së lidhur me bojkotet. Ne nuk jemi për t’u bërë farsë, apo përdorur në këtë proces. Ne kemi kërkuar kritere dhe procedura. Nëse do të zgjidhet Presidenti të zgjidhet me 84 vota, ai i ka votat dhe mund të vendosë edhe pastruesen e PS-së. Nëse do ketë procedurë serioze nga PS, ne mund të kemi propozimin tonë. Nëse kriteret dhe procedurat do ndiqen nga pala tjetër, ne duhet të marrim pjesë. Ajo që po bën Alibeaj s’është farsë, nuk e njoh për njeri të farsave. Ai duhet të marrë pikësëpari konsensusin e të gjithë grupit parlamentar. Me votë të fshehtë të votojmë, nëse kemi qejf apo jo të bëhemi pjesë e procesit. Nëse gjejmë një emër konsenusal do ishte fantastike për vendin. Te Komisioni i Rithemelimit janë 10-12 deputetë, nuk mund t’u imponohen 36 të tjerëve. Duhet të ulen me njëri tjetrin dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët. Emërues i përbashkët është vetëm vota. Me votë të fshehtë të gjejmë përfaqësuesin tonë që do negociojë në emër të PD”.
I pyetur se ku e gjen veten në PD, Korreshi tha:
Nuk përfaqësohem as në emrin e Berishës, as të Bashës. Unë përfaqësoj ata që më kanë votuar. Është koha që deputetët të dëgjohen. Nuk mund të anashkalohen 40 deputetë. Me votat personale që kam marrë dal sërish në atë pozicion që jam. Kam pritur që pas datës 6 të kishte një ndalesë. Mendoja që Grupi i Rithemelimit do të ulte tonet sepse ishte bërë heqja e Bashës. Çfarë nxitimi ka që të bëhet çdo gjë në mënyrë të njëanshme. Ne kemi kërkuar afat, jo të bëjmë për tre ditë…Zgjedhjet në degë ishin të njëanshme. Një pjesë e demokratëve i njeh, një pjesë s’i njeh. Demokratët humbën në 6 mars 5-1. Demokratët vuajnë nga kokëfortësia e Bashës dhe Berishës. Me njerëz në burg, humbëm. Ne kërkuam në një moment që të dilnim me kandidat të pavarur, por ishte e pamundur me dy pale të ndara të fitonim. Berisha dhe Basha nuk patën t’i ulin armët dhe të dilnin me një kandidat. Treguan kush ishte vendi i dytë dhe i tretë, por PD-ja humbi”.
Deputeti theksoi se të dyja palët brenda PD-së duhet të cedojnë nga vetja për të arritur bashkimin. Ai tha se ka gjasa që Gjykata e Apelit mund ta rikthejë për rigjykim vendimin e gjyqtarit Zhukri për njohjen e Kuvendit të Sali Berishës.
Duhet të reflektojmë. Në negociata të dyja palët duhet të cedojnë pak nga e vetja. Gjykova që pas ikjes së Bashës do kishte një proces pajtimi brenda demokratëve. Gjykata e Apelit mund ta kthejë për rigjykim vetëm për faktin që z.Zhukri kishte konflikt interesi. Në gjykimin tim Apeli mund ta kthejë për rigjykim. Do gjejë rrugën më të thjeshtë, do ta kthejë mbrapsht. Nëse do ndërhyjë politika, atëherë është gjë tjetër. Mendoj që Rama ka fuqi të ndikojë në sistemin e drejtësisë. Mund të jetë edhe lojë e Ramës për të hedhur benzinë”.
Lidhur me figurën e Alibeajt, Korreshi e sheh këtë të të fundit përtej Berishës dhe Bashës.
Por për sa e njoh Alibeajn, ndoshta është një nga njerëzit më korrekt dhe nuk do të lozte kurrë me të majtën. Si unë si Alibeaj nuk jemi më të pjesa e mbështetjes së Bashës. Nuk mendoj që të jetë në mbështetje të Bashës. Pse do t’i kërkonte dorëheqjen?! Në mënyrë absolute është përtej Bashës dhe Berishës, nuk bëhet vegël. Me Alibeajn kam pasur kontradikta të forta në qark, por nga dhjetori i 2020-ës kemi qenë në të njëjtën gjatësi vale dhe kemi bërë fushatë spektakolare në Fier. Ai ka idetë e tij, ideologjinë e tij, por të lë të bësh dhe të dëgjon. Më para s’dëgjoheshin fare deputetët, duhet të ndiqje vijën e partisë. Unë s’jam në linjën e fortë që është Alibeaj, kjo është e vetmja diferencë që kemi. Besoj që Alibeajn në politikë e zgjat përgatitja e tij intelektuale”.
I pyetur mbi një kandidat për President, Korreshi thotë:
Unë kam propozuar si kandidat për President Visar Zhiti. Vuaj nga provincialiteti dhe ai është lushnjar. Përpos të tjerave për vlerat që përfaqëson. Nuk ia kam dërguar Alibeajt sepse asnjëherë s’është diskutuar për emra konkretë në grupin parlamentar. Kam propozuar 9 pika, e para të mos ketë pasur poste në komunizëm, integriteti, figura, veting pasurie”.
Korreshi tha se demokratët ndihen keq kur shohin se Topalli dhe Hajdari rikthehen si gjenerale ndërkohë që i kanë hequr vota PD-së në zgjedhjet e fundit.
Me Murrizin kemi qenë miq dhe bashkëpunëtorë. Për miqtë dhe shokët nuk flas. Për Topallin mund të flas, duhet të kishte pritur radhën, në PD nuk vihet direkt gjeneral. I gjuajte me gur PD-së, tani prit pak radhën. Se mësohen keq. Se kemi 9 vjet që rrimë në atë parti dhe ata që 9 vjet e kanë sharë Bashën vijnë gjeneral. U ka hequr 7 mijë vota demokratëve, është një mandatet. Demokratët ndihen keq me ardhjen e këtyre, me ardhjen e Topallit apo Rudinës. Nuk janë prurje të reja, demokratët i njohin. Besoj që do jetë më i largët bashkimi i demokratëve, sepse faji është në qendër dhe jo në bazë. Nëse do hyhet me dy kandidatë nuk do hyj në zgjedhjet e ardhshme, sepse nuk fitojmë dot, është gjynah të zihemi me njëri tjetrin”.
I pyetur nëse ka persona të tretë që kanë ambicie për lidership në selinë blu, Korreshi u shpreh se Ervin Salianji është një njeri karrieriest, gjithashtu edhe Grida Duma.



