Në “MCN Live”, avokati Ervin Karanxha komentoi tensionet e regjistruara në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku pati përplasje verbale mes anëtarëve gjatë diskutimeve për një çështje të debatueshme.
Sipas Karanxhës, debati në organet kolegjiale është i domosdoshëm dhe duhet parë si një element pozitiv për funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Bëhet fjalë për një debat gjatë një mbledhjeje. Stojani është një prokuror me eksperiencë dhe ka pasur lidhje me një vendim për një çështje konkrete, çka u bë objekt konflikti. Ka dalë një vendim i KLP-së dhe më pas është kërkuar një tjetër vendimmarrje. Edhe pse çështja është diskutuar sërish, kur merret një vendim janë organet më të larta ato që e shqyrtojnë.
Avokati theksoi se mungesa e debatit ka sjellë problematika në sistemin e drejtësisë ndër vite.
Është gjë e mirë kur ka debate, sepse po shohim organe ku nuk diskutohet fare. Kur paraqitet një kërkesë, ngrihet dora dhe merret vendimi pa debat. Unë e quaj pozitiv diskutimin për çështjet në organet kolegjiale. Kemi arritur në këtë pikë në sistemin e drejtësisë pikërisht nga mungesa e debatit.
Ai kërkoi gjithashtu më shumë transparencë për anëtarët e institucioneve të drejtësisë.
Anëtarët e KPA-së kërkojnë të bëhen pjesë e institucioneve dhe veprojnë në fshehtësi. Pse të mos i njohë publiku CV-të e tyre? Populli duhet të dijë kush janë, nga vijnë dhe çfarë përfaqësojnë. Transparenca është e domosdoshme në sistemin e drejtësisë.
Duke komentuar edhe vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për ish-gjyqtarin Ervin Metalla, Karanxha e cilësoi rastin si “skandaloz” dhe kritikoi ashpër procesin e vetingut.
Ky është një rast skandaloz dhe tregon nivelin e ulët profesional të anëtarëve të vetingut. Të shkarkosh një gjyqtar dhe më pas Strasburgu të të thotë se kredia merret në bankë, kjo do të thotë të mos njohësh as bazat.
Sipas avokatit, vendime të tilla po i shkaktojnë dëm financiar shtetit shqiptar.
Ky njeri rikthehet në vendin e punës, përfiton pagat dhe shteti detyrohet t’i paguajë 26 mijë euro dëmshpërblim. Mund të kemi edhe 7-8 raste të tjera të ngjashme. Janë paratë e taksapaguesve shqiptarë që po shpërdorohen.
Ai shtoi se do të depozitojë në Strasburg edhe raste të tjera që, sipas tij, provojnë shkelje në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kemi të bëjmë me një gjueti shtrigash. Kjo nuk është thjesht çështje personale, por çështje kombëtare, sepse sistemi i drejtësisë sot është dëmtuar rëndë. Nuk mund të ndërhysh në sistemin gjyqësor duke shkelur ligjin. Ata që i shkaktojnë dëm shtetit duhet të mbajnë përgjegjësi.



