
Presidenti kolumbian, Ivan Duque, donte të mbushte boshllëqet e buxhetit të shtetit me anë të një reforme taksash. Pas kundërshtimeve të forta ai tani po heq dorë nga ky projekt. Pavarësisht kësaj, kjo temë vazhdon të diskutohet.
Pas protestave që zgjatën me ditë të tëra, presidenti i djathtë i Kolumbisë tërhoqi reformën e shumëpërfolur të taksave. Të dielën kreu i shtetit tha, se i bëri thirje parlamentit, që të tërhiqte refomën. Gjithsesi parlamenti duhet të propozojë sa më shpejt një projekt të ri për taksat, që është në unison me parlamentarët dhe me shoqërinë civile. “Reforma nuk është një tekë, por një domosdoshmëri”, tha ai. Ajo është e nevojshmë për mirëmbajtjen e programeve.
Që prej ditë së martë, sindikatat, indigjenët si dhe organizatat sociale ishin mobilizuar kundër reformës së taksave. Në shumë qytete gjatë demostratave pati përleshje të forta mes policisë dhe forcave të sigurisë. Sipas të dhënave të ndryshme ndërruan jetë nga 6 deri në 21 persona. Një numër i madh njerëzish u plagosën.
Më 1 Maj, Ditën e Punëtorëve, gjendja u përkeqësua shumë. Pas kësaj dite, mbrëmjen e së dielës Duque lejoi ushtrinë të ndërhynte për të kontrolluar përleshjet gjatë protestave. Kryetarët e bashkive të Bogotës dhe Medellin-it e kritikuan këtë vendim, pasi kishin frikë se do të përkeqësohej situata. Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) bëri thirrje, për hetimin e ngjarjeve.
Me anë të reformës së taksave pritej të mbusheshin boshllëqet që ishin lënë në buxhetin e shtetit nga kriza e koronës. Për këtë arsye, qeveria donte të ulte lejimet tatimore, t’i rriste taksat mbi të ardhurat disa grupeve të caktuara dhe të shfuqizonte përjashtimin nga TVSH-ja për disa mallra dhe shërbime.
Opozitarët kishin frikë, se reforma do të prekte kryesisht shtresën e mesme të popullsisë, e cila është e dobët ekonomikisht, ndërkohë që shtresa e pasur mbetej e paprekur. Prej shumë kohësh ka pakënaqësi për politikën ekonomike dhe sociale të presidentit. Produkti Kombëtar Bruto (GNP) u ul me 6,8 për qind sipas Institutit Shtetëror të Statistikave Dane vitin e kaluar. / DW / Përktheu: Ina Merlika /



