Politologu Ilir Kalemaj duke folur në Mcn Live tha që sot PD-ja ka hyrë në garë elektorale me PS-në, ndryshe nga çfarë diskutohej 3 muaj më parë.
Kalemaj thekson se kanë ndryshuar disa variabla, si fakti që po fryn një erë globale djathtas, që favorizon opozitën.
Një tjetër faktor sipas Kalemajt është arrestimi i “një peshku të madh si Veliaj”, që nuk bën dot fushatë për PS-në.
Variabël e qëndrueshme është që PS qoftë me Nanon, Metën apo Ramën është makineria më e fuqishme elektorale, e mirëvajisur, ka 80-90 vite eksperiencë, me patronazhistë, krahasuar me PD-në që është parti elektorale. Flasim për variablat e ndryshueshme, ka fituar Trump me plebishit. Një ditë pas konfirmimit të Trump-it si President bie qeveria e Shcholz, ka fituar CDU-CSU, liderin e të cilit sapo e takoi Berisha.
Forcat e djathta në Europë ose kanë fituar për herë të parë, ose kanë qëndruar në pushtet, përjashtim bën Britania. Kemi një erë globale që duket se favorizon opozitën. Po ashtu është arrestuar një peshk i madh në PS. Peshk më të madh se Veliaj, pas Ramës, s’ka. S’është aty për të prishur provat dhe për të bërë fushatë, ky është lajm i mirë për hyrjen në garë të PD. Nëse para 3 muajsh thoshim që PD nuk hyn në garë, sot hyn në garë. A është e mjaftueshme kjo që ka bërë Berisha për ta mundur Ramën? Këtu edhe unë jam skeptik”.
Duke folur mbi procesin e primareve brenda PD-së, Kalemaj tha:
“Në vetvete primaret janë një ushtrim demokratik. Një pjesë e mirë e atyre që janë kandidatë të mundshëm, po të flasësh jashtë kamerave janë skeptikë, për mënyrën si janë konceptuar primaret. Duke marrë parasysh rrethanat e bashkimit të PD, me ata që kishin qenë kritizerë, do jetë një proces i shkurtër, kandidatët s’do kenë kohë për fushatë, ajo do jetë një garë mes emrave të njohur dhe atyre që s’janë të tillë.
Mandej do t’i shkojë Kryesisë dhe kryetarit që do marrin vendimin. Deri tani dimë se kush do jetë në listën e mbyllur, një listë me 19 emra. Kam bindjen që do jenë një pjesë e mirë e grupit parlamentar. Vetëm tre nuk konfirmohen Helidon Bushati, Emilia Koliqi, dhe Ferdinand Xhaferri.



