
E djathta në Estoni ka fituar zgjedhjet, duke mundur të majtën në qeveri me kryeministrin Jüri Rata. Partia Reforma arriti të siguronte në zgjedhjet e së dielës 28.8% të votave, çka i jep 34 vende në Parlament. Partia e kryeministrit Rata mori 23.1$ të votave, ose 26 nga 101 vendet e Parlamentit. Nacionalistët e ekstremit të djathtë, Partia Konservatore e Popullit (EKRE) u rendit e treta me 17.8%, duke e kaluar dyfishin e 81.% të votave të siguruara në zgjedhjet e kaluara. Partia e Euroskeptikëve do të marrë 19 vende, 12 më shumë se në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Vetëm 2 parti të vogla e kaluan pragun e 5%-shit që u lejon hyrjen në Parlament: Pro Patria me 11.4% fiton 12 vende, ndërsa Socialdemokratët me 9.6% marrin 10 vende.
Reforma, partia fituese, drejtohet nga 41-vjeçarja Kaja Kallas, me profesion avokate, ish-eurodeputete. Nëse ajo ia del të formojë qeverinë, do të bëhet kryeministrja e parë e Estonisë.
Vështirësia për të formuar kabinetin e saj qëndron në faktin se Kallasit i duhen aleatë për një qeveri koalicioni. Presidenti i Estonisë pritet të caktojë një kandidat për kryeministër, i cili do të negociojë me partitë për arritjen e një marrëveshjeje. Si të majtët, edhe të djathtët e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me nacionalistët e ekstremit të djathtë, EKRE.



