
Gjendja e tensionuar në veri të Kosovës, tashmë ka prekur edhe pikat kufitare në mes të Kosvës dhe Serbisë. Pikat kufitare në Jarinjë, Merdare dhe Bërnjak janë bllokuar për shkak të protestave në Serbi. Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se pikat e tjera mbeten të kalueshme dhe nuk ka kolona. “Ju njofton se në territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe në Merdare, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova. Nuk është i sigurt për momentin as kalimi i veturave”, thuhet në njoftimin e shkurtër të MPJ-së. MPJ-ja në po këtë komunikatë për media ka apeluar qytetarët të cilët tashmë kanë hyrë në territorin e Serbisë, që t’i përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardh ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut. Situata në veri vazhdon të mbetet e tensionuar, pas arrestimit të disa serbëve që dyshohen për sulmet ndaj gazetarëve. Një gjë e tillë, i ka irrituar serbët në veri, të cilët kanë protestuar gjatë ditës. Por edhe serbët andej kufirit, tashmë kanë nisur protestën, gjë e cila ka bllokuar qarkullimin e autobusëve dhe kamionëve në tri pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Pikëkalimi kufitar në Bërnjak është i bllokuar, ndërsa ato në Jarinje dhe Merdarë janë të bllokuara për kalimin e kamionëve dhe autobusëve nga Kosova. Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka kërkuar qytetarëve që të udhëtojnë për në Serbi nga pikat kufitare të tjera. Situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet e tensionuar, posaçërisht pas rrëmbimit të tre policëve kosovarë nga Serbia. Për më shumë, të premten e kaluar, ka pasur disa sulme ndaj gazetarëve kosovarë të cilët po raportonin në veri të Kosovës. Dje për të tretën herë me radhë, pjesëtarë të komunitetit serb kanë protestuar, përmes një marsh nga qendra e Mitrovicës së Veriut deri në Zveçan, si shenjë mbështetjeje ndaj serbëve të arrestuar ditëve të fundit nga autoritetet e Kosovës. Ndërkombëtarë kanë vazhduar të insistojnë në nevojën për shtensionim të situatës në veri. Bashkimi Evropian, që është lehtësues i dialogut, është duke tentuar të organizojë një takim të nivelit të lartë në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçi.



