
Kryedemokrati Sali Berisha falënderoi qytetarët që iu bashkuan protestës së të hënës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke thënë se me praninë e tyre inauguruan misionin e ri të opozitës shqiptare, shpëtimin e demokracisë, familjes shqiptare dhe të Shqipërisë.
Në një konferencë për mediat mesditën e sotme, ai deklaroi se secili pjesëmarrës firmosi kontratën me demokracinë, me familjen dhe me Shqipërinë për t’u dalë zot gjer në fitoren e plotë dhe përfundimtare mbi këtë regjim.
Kryeopozitari shtoi se misioni i opozitës është largimi i kësaj qeverisje, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.
Kjo është një betejë në vazhdim. Ky ishte një inaugurim me një rëndësi të jashtëzakonshme dhe mesazhin më të fuqishëm për Edi Ramën, narkoqeverinë e tij, ky mesazh përmblidhe me një fjalë të vetme: largohuni! Largohuni! Nuk mund të ketë fjalë që mund të shprehë ata që ndjej për ata qytetarë që erdhën, për atë disiplinë që treguan, për atë përkushtim që treguan.
Por nga ana tjetër, jashtë të gjitha përpjekjeve të makinës toksike propagandistike të Edi Ramës, vuvuzelave të tij se populli nuk ngrihet, se populli nuk ka besim tek opozita, se kështu dhe ashtu, madje sa nuk thonin se populli e do Edi Ramën, kishte edhe ndonjë që e thoshte këtë, ata faktuan se cilat janë ndjenjat e popullit për Edi Ramën, urrejtja e pakufishme, zemërimi i pakufishëm.
Siç kemi deklaruar edhe më parë, kjo betejë është një betejë për liri ose vdekje, për jetë ose vdekje, nën moton, ja të vdesim, ja të rrojmë për liri. Çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi, çdo opozitar i këtij vendi, çdo socialist i ndershëm i këtij vendi, duhet ta ketë të qartë, dhe e ka të qartë se me zhvillimet dhe zbulimet e fundit, faktimin, se unë për shembull Ergys Agasin jo vetëm në këtë sallë, por edhe në aulat më prestigjioze të Europës, në Këshillin e Europës, në Parlamentin Europian, në PPE, në rezolutat tona, e kemi damkosuar si koordinatorin e Edi Ramës për veprat më të zeza. Dhe tani po faktohen.
Pra, çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se kemi të bëjmë me një përballje për jetë ose vdekje të demokracisë shqiptare. Opozita nuk mund të shuhet. Shuarja e opozitës është shuarja e sovranitetit kombëtar të brendshëm. Është fundi.
Nuk mundet kurrë një bandë kriminale, e implikuar në aktet më të rënda, në pengmarrje, në zhdukje, në çfarë aktesh, të kontrolle të pamëshira të çdo të dhëne të qytetarëve shqiptare, në kontrolle të pamëshira të transaksioneve, nuk mundet kurrë ajo të asgjësojë sovranitetin e brendshëm të një kombi, të asgjësojë opozitën. Misioni ynë është largimi i kësaj qeverisje, qeveri teknike, zgjedhje të lira. Opozita në pushtet në mënyrë të pashmangshme.



