
Ministria e Arsimit ka hedhur për shqyrtim një projektligj të ri që synon përafrimin dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të fituara në vendet e Bashkimit Evropian (BE), Zonës Ekonomike Evropiane dhe Zvicrës me direktivat evropiane, duke lehtësuar procedurat dhe duke reduktuar barrierat burokratike për profesionistët.
Të ftuar në “MCN live”, dy ish-zëvendësministrat e Arsimit, Nora Malaj dhe Taulant Muka, analizuan përmbajtjen e këtij drafti, duke ndarë qëndrime të ndryshme mbi standardet dhe kohën e zbatimit të tij.
Malaj shpjegoi se projektligji vjen në kuadër të ligjit për kualifikimet dhe synon të vendosë norma të qarta standardizimi dhe licencimi për profesionet e rregulluara, ashtu siç funksionon në vendet e Bashkimit Evropian.
Të gjitha llojet e profesioneve në BE rregullohen me mekanizma licencimi; në BE çdo profesion duhet të jetë i standardizuar.
Kjo nuk ka lidhje me profesionet e lira, por me ato të rregulluara me akte ligjore, si mësues, arkitektë, avokatë, noterë, e kështu me radhë.
Bëhet fjalë për profesione që lidhen me standardet e jetës së njeriut, me cilësinë dhe sigurinë, ku askush nuk mund ta ushtrojë profesionin nëse nuk ka një licencë të caktuar.
Ky kuadër ligjor u shërben qytetarëve evropianë dhe shqiptarë duke përjashtuar vendet e treta dhe në momentin që miratohet në Kuvend, shënon një përafrim të drejtpërdrejtë me legjislacionin e BE-së.
Nga ana tjetër, Taulant Muka ngriti një shqetësim të fortë lidhur me nenin e fundit të projektligjit, i cili parashikon se ligji do të hyjë në fuqi vetëm në momentin që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Sipas tij, kjo e bën nismën absurde dhe tregon mungesë vullneti për të zbatuar realisht standardet evropiane sot.
Ky draft praktikisht synon të rregullojë njësimin e ushtrimit të profesioneve të rregulluara, për shembull, nëse je arkitekt, mjek, farmacist apo infermier, çfarë të duhet në Shqipëri për ta ushtruar profesionin.
Por absurdi është se ky projektligj hyn në fuqi në momentin kur ne të futemi në BE.
Pse duhet të presim? Ne po bëjmë dokumente gjoja po i shesim BE-së se po përafrojmë ligjet, çka tregon se nuk jemi të sigurt as për rrugëtimin që kemi marrë.
Sipas ish-zv.ministrit, integrimi evropian nuk matet me ligje të shtyra në kohë, por me zbatimin e menjëhershëm të standardeve në praktikë.
Hyrja në BE është të ndërtosh dhe të aplikosh standarde, nuk është të prodhosh letra.
Neni i fundit i këtij projektligji tregon se kjo qeveri nuk e ka seriozisht integrimin evropian, por po e përdor këtë nismë thjesht si propagandë dhe PR.
Standardet e BE-së duhet të aplikohen që tani, edhe pa qenë ende anëtarë të BE-së.
