Peshëngritësi Erkand Qerimaj është vlerësuar një ditë më parë nga Presidenti Ilir Meta me dekoratën ”Gjergj Kastriot Skënderbeu”, për kontributin dhe arritjet e tij në sport. Në lidhje me këtë, Qerimaj, ka folur në edicionin e lajmeve në MCN TV, ku u shfaq i lumtur për vlerësimin, ndërsa shtoi se me sukseset e arritura deri tani, ishte e pritshme dekorata.
Me rezultatin kampion i Europës dhe me medaljen e argjendtë në Lojërat Mesdhetare, pastaj edhe 20 vite me medalje europiane dhe botërore, ishte e pritshme që të vlerësohesh. E falënderoj presidentin për dekoratën, pasi është shumë e lartë. Normalisht jam edhe shumë i gëzuar. Pasi u shpalla kampion Europe dhe nënkampion në Lojërat Mesdhetare, tani kemi kampionatin botëror në Kolumbi në muajin dhjetor, Do fillojmë përgatitjet për atë garë, sepse aty fillon kualifikimi për në Olimpiadën e Parisit, ky është objektivi i radhës.
Qerimaj zbuloi se çelësi i suksesit, ishte rënia në peshë, strategji për të cilën tha se funksionoi shumë mirë.
Pas Olimpiadës, unë vendosa të bie nga pesha dhe humba 10kg. Rezultatet më te mira i kam pasur te pesha 77 dhe 69 kg. Me ndryshimet e peshave, unë nuk u ambientova dot te pesha 81kg. Rënia në 73kg, bëri që unë të arrij ato suksese. Kjo ishte strategjia ime dhe funksionoi. Shumë nuk besonin që do bija në peshë dhe në arritjen e rezultateve. Me besim dhe punë mund t’ia dalim.
Familja më ka mbështetur nga fillimi. Për një kampion, kur arrin rezultate të gjithë janë suportues. Arritjet janë dedikim për të gjithë.
Gjithashtu, Qerimaj u shpreh se duhet të saktësohet pjesa e punësimit, për sportistët që sjellin medalje për Shqipërinë.
Për sa i përket pjesës së shpërblimeve, për dy vitet e fundit është rregulluar. Unë mendoj se te pjesa e punësimit, duhet të saktësohet më mirë, nëse merr një medalje. Nuk përcaktohet se ku duhet të jetë punësimi. Mendoj se kjo pjesë duhet të rregullohet. Për pjesën e shpërblimeve është rregulluar.



