Serian Malia nga qyteti i Lushnjës denoncoi në emisionin “Xhadat” avokatin Erion Sina që sipas tij e ka mashtruar. Në vitin 2022 bashkëshortja e tij kishte hapur një proces gjyqësor për zgjidhje martese, por me vonë ai mëson se gjyqi ishte pushuar dhe nuk ishin divorcuar. Pavarësisht kësaj Malia thotë se avokati Sina e merrte në telefon dhe i kërkonte lekët për djalin qe jetonte me të shoqen, pa pasur një vendim gjykate.
“Xhadat” ishte ne Lushnje ku takoi avokatin i cili thotë se lekët ja ka dhënë kunatit të Serianit. Ai premton ballafaqimin e Serianit me kunatin e tij duke i lënë takim gazetares në orën dy tek studio e tij e avokatisë.
“Xhadat” së bashku me Serianin shkuan në orën dy tek studio ligjore e avokatit, por avokati nuk ishte aty. Të ndodhur në këto kushte gazetarja tentoi ta telefononte, por avokati nuk u përgjigj duke ju shmangur kështu ballafaqimit.
Në lidhje me rastin avokati i njohur Erald Aga sqaroi për emisionin Xhadat se të ekzekutohet një detyrim financiar fillimisht duhet të ketë një vendim gjykate. Ai tha se edhe nëse do të kishte një vendim të tillë, zbatimi i tij ndiqet nga përmbaruesi dhe jo avokati. Avokati Sina ka shkelur gjithashtu ligjin e avokatisë dhe kodin e etikës profesionale, pasi nga çështja rezulton se në fillim ka përfaqësuar palën e bashkëshortes së denoncuesit e më pas vetë atë.



