Politologu Ilir Kalemaj deklaroi në MCN Live se Kongresit të PS-së i mungoi edhe forma përpos përmbajtjes, duke shtuar se në të kishte terminologji të vjetruar me thirrje patetike. Sa i takon zgjedhjes së presidentit të ri, Kalemaj u shpreh se Majlinda Bregu ishte një emër i guximshëm nga ana e mazhorancës.
Në Kongresin e fundit nuk pashë as formë. Fasada me bar, me kashtë, me kooperativistë, mund të ngjallë reminishenca të atyre që kanë qenë në Byro, Pleniume, por nuk mundet kurrsesi t’i apelojë situatës dramatike ku gjendet vendi sot. Rama kishte bërë konsultimin Kombëtar, ‘vet haxhi, vet kadi’, vetë i bën pyetjet, vetë i numëron, ata 300 mijë janë një minorancë për të përcaktuar ato tre pyetjet që kishte merak Rama. Kjo e rrëzon vet reformën. Kush je ti që thua do t’i nxjerr këta forcërisht nga sistemi. Kishte thirrje patetike, ne thoshte familjet e pasura, familjet kulake do paguajnë më tepër energji elektrike. Nuk e di çfarë nënkupton Rama me familje të pasura, ato që kanë minierat e bitcoin-it apo ata që kanë shtëpi bari. Është një terminologji e vjetruar që s’ka vend në realitet. Të gjitha mekanizmat që s’janë kushtetuese janë për të mbuluar diellin me shoshë. Shqipëria ka nevojë për reforma drastike”.
Kalemaj tha se për disa arsye Edi Rama s’mund ta bëjë amnistinë fiskale, ndërsa sa i takon legalizimit të kanabisit mjekësor, u shpreh se kryeministri është rikthyer te idetë e Koços.
Ka disa arsye përse Rama s’mund ta bëjë amnistinë fiskale, sepse kërkon votat e opozitës, që nuk është pengesë e vogël. Ka një kundërshti nga shoqëria civile. Moneyval e rendit Shqipërinë në listën gri për pastrimin e parave. Askush s’mund të pres që emigrantët pas 30 vjetësh, ku janë legalizuar në vendet ku kanë shkuar, kanë marrë pasaportat dhe rezidencat, dhe i kanë paratë në kanalet bankare. Është e rrallë të kesh para nga kanale jashtë bankare. Plus instrumentet që Shqipëria s’ka për të certifikuar pastërtinë e parave. Sa i takon kanabisit, kanë qenë të rralla vendet që kanë legalizuar edhe prodhimin edhe eksportin. Shqipëria ka krijuar një brand famkeq. Maqedonia e Veriut e provoi dhe është dështim i mirëfilltë, që e ka pranuar vetë qeveria e Maqedonisë së Veriut. Kemi rikthim te idetë e Koços, por pa Koçon mbi kanabisin”.
Sa i takon kryetarit të shtetit, Kalemaj përmendi emrat e Majlinda Bregut dhe Besjana Kadaresë, ndërsa shtoi se Valentina Leskaj mund të ishte një emër i pranueshëm brenda socialistëve.
Teza më e guximshme do ishte ajo e Majlinda Bregut. Edhe rasti i Besjana Kadaresë kanë qenë më të debatuarit. Personalisht do thoja të ishte Valentina Leskaj, që është një profil i pranuar nga socialistët, dhe mund të jetë ndër më të votuarat nga grupi i PS. Edhe zonja Aurela Anastasi ka qenë një ka emrat e hedhur. Edhe pse Leka Zogu II plotëson kriterin e moshës dhe të qëndrimit 10 vjet në Shqipëri, ndërsa vendi i lindjes është përjashtimor”.



