
Një turist me shtetësi polake ka mbetur i bllokuar në zonën e Gjirit të Gjipesë, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e shërbimeve të emergjencës.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë nisur shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, forcat zjarrfikëse dhe ekipi mjekësor i urgjencës, të cilët po punojnë për lokalizimin dhe nxjerrjen e turistit nga terreni i vështirë.
Operacioni i shpëtimit vijon, ndërsa synohet transportimi i turistit në një zonë të sigurt për t'i ofruar ndihmën e nevojshme.
Ky është rasti i dytë brenda 48 orëve në Gjirin e Gjipesë, ku turistët kanë mbetur të bllokuar për shkak të relievit të thyer dhe vështirësive në lëvizje, duke kërkuar ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës.



