Një gjest i papëlqyeshëm ndaj eskortës së presidentit Donald Trump i ka kushtuar vendin e punës një gruaje në SHBA. Ndërsa ecte me biçikletë ditën e Hallouinit në një rrugë në Virxhinia, Juli Briskman vuri re se pasj saj po vinte makina e presidentit amerikan me eskortën që e shoqëron zakonisht. Ajo i ngriti gishtin e mesit dhe ky gjest u përjetësua në foto nga fotografi i Shtëpisë së Bardhë.
Fotoja u bë menjëherë virale në rrjetet sociale, madje edhe Briskman vetë e postoi në profilin e saj.
Por punëdhënësi i saj, kompania “Akima LLC”, merr pjesë në garat që hap qeveria amerikane herë pas here. Me argumentin se ky gjest shkelte politikën që ndjek kompania, ajo është pushuar nga puna.
Kompania thotë se shkarkimi është bërë pasi në rregullore ndalohet që punonjësit të publikojnë në llogaritë e tyre foto të pahijshme.
“Nuk isha në punë kur e bëra, por do ta bëja sërish”, thotë Briskman.



