Shqetësimi për situatën e tensionuar tashmë disajavore në veri të Kosovës mes Prishtinës dhe Beogradit ka shqetësuar edhe Britaninë e Madhe që e ka future në axhendën e diskutimeve politike. Gjatë debateve në komitetin për çështjet e jashtme, deputetja britanike, Alicia Kearns e pyeti kryeministrin Sunak se a do të ketë angazhim nga ai për zgjerim të mandatit të KFOR-it, në mënyrë që të merret edhe me kontrabandimin e armëve që po futen nga Serbia në Kosovë. “Si kryeministër, a do të angazhoheni tani që ne do t’i bashkohemi EUFOR-it, ku do të shtoja se si Turqia ashtu edhe Kili janë anëtarë, dhe a do të konsideroni gjithashtu lobimin për një zgjerim të mandatit të KFOR-it në Kosovë në mënyrë që ata të përballen me çështjet ilegale, pra armët që dërgohen nga Serbia në Kosovë, të cilat po financohen ilegalisht nga Beogradi dhe po armatosen milicitë në Kosovë”, pyeti deputetja Kearns. Shqetësimin e pranoi kryeministri britanik, Sunak i cili drejtoi gishtin nga Presidenti Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti teksa u bëri apel të rikthehen në dialog. “Ne jemi të shqetësuar për situatën në Veri të Kosovës dhe sigurisht që i dënojmë sulmet e paprovokuara të protestuesve ndaj trupave të KFOR. Liderët në Prishtinë dhe Beograd kanë përgjegjësinë për të ulur tensionet dhe për të ndaluar dhunën. Duhet të rikthehen në rrugën e dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Europian”. Sa i përket pyetjes tjetër të Kërns, Sunak mbështeti misionin e KFOR në Veri të Kosovës teksa premtoi se do të shohë rrugë bashkëpunimi. “Në lidhje me EUFOR-in, ne e shohim EUFOR-in si jetik për paqen dhe sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe gjithë rajonin. Mospjesëmarrja jonë në të nuk pasqyron rëndësinë e operacionit për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe ne po përpiqemi të vazhdojmë të eksplorojmë mundësitë për të zgjeruar bashkëpunimin me misionin” Megjithë përpjekjet dhe apelet nga ndërkombëtarët, Kosova dhe Serbia refuzojnë të ulen sërish në dialog pas zgjedhjeve të mbajtura 4 komunat me shumicë serbe në Veri.



