
Një sulm rus në Ukrainë është "ende një mundësi" dhe kostoja njerëzore do të ishte "e madhe", ka thënë presidenti amerikan Joe Biden.
Në një dalje në media, ai tha se SHBA ishte gati t'i përgjigjej me vendosmëri një lëvizjeje të tillë. Presidenti amerikan tha se Rusia tani ka grumbulluar rreth 150,000 trupa në kufirin me Ukrainën.
Ministri rus i mbrojtjes ka thënë se disa forca janë tërhequr . Zoti Biden tha se kjo nuk ishte verifikuar.
"Largimi i forcave ruse do të ishte mirë, por ne nuk e kemi verifikuar ende këtë. Nuk kemi verifikuar ende se njësitë ushtarake ruse po kthehen në bazat e tyre vendase. Në të vërtetë, analistët tanë tregojnë se ata mbeten shumë në një pozicion kërcënues." tha presidenti i SHBA.
Të martën, Ukraina tha se faqet e internetit të Ministrisë së saj të Mbrojtjes dhe dy bankave u vunë nën një sulm kibernetik. Shkaku nuk është i qartë, por Ukraina ka pësuar sulme në shkallë të gjerë më parë në infrastrukturën e saj në internet dhe ka drejtuar gishtin nga Rusia.
Prej kohësh ekziston shqetësimi se, në vend të një pushtimi në shkallë të plotë, Rusia mund të përdorë mjete më pak të dukshme për të destabilizuar Ukrainën, për shembull përmes sulmeve kibernetike në infrastrukturën kritike. Presidenti Biden tha të martën se Shtetet e Bashkuara ishin të përgatitura për t'iu përgjigjur çdo lëvizjeje të tillë.
Fjalimi i Biden erdhi disa orë pasi presidenti rus Vladimir Putin tha se shqetësimet e Moskës për sigurinë duhet të trajtohen dhe të merren seriozisht. Putin gjithmonë ka mohuar planifikimin e një inkursioni dhe tha se Rusia nuk dëshiron një luftë tjetër në Evropë. Megjithatë, tensionet janë rritur që nga nëntori.
Pas raporteve të mëparshme se inteligjenca amerikane besonte se Rusia mund të sulmonte Ukrainën të mërkurën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e shpalli atë si një ditë uniteti, duke u bërë thirrje qytetarëve të valëvisin flamurin e vendit dhe të veshin shirita blu dhe të verdhë - ngjyrat kombëtare të Ukrainës.



