Eurodeputeti Fredi Beleri debatin mbi projektin në Zvërnec dhe protestat që e shoqërojnë, e sheh të lidhur me problematikën e pronës.
Në një intervistë për MCN TV, ai flet për një rast tipik ku banorët qoftë ata me shtetësi greke dhe ata shqiptare, kanë tokën e të parëve të tyre dhe shteti shqiptar nuk është në gjendje të përcaktojë se kujt i përket ajo pronë.
Sipas tij, protestuesit kërkojnë transparencë mbi projektin dhe se banorët vendas kërkojnë të jenë pjesë e projektit, të njihen si pronarë dhe të shpronësohen.
Lidhur me emrat e Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner, ngre dyshimin se përdoren emra kaq të mëdhenj për të trembur banorët.
Nga ana tjetër, Beleri shton se nëse do respektohet ekosistemi, nuk ka asgjë të keqe nga një investim i tillë.
Nuk është e qartë se kush janë pronarët, për vendin që qeveria shqiptare vendos ta japë për investim. Kemi një rast tipik qoftë ata me shtetësi greke dhe shqiptare që kanë tokën e të parëve të tyre dhe shteti shqiptar nuk është në gjendje të përcaktojë se kujt i përket ajo pronë. Duke parë njerëzit që janë në protestë më duken njerëz normalë, nuk janë as anti-grekë, as anti-amerikanë, janë njerëz normalë. Duan transparencë për projektin.
Zoti Rama thotë një herë që projekti nuk është gati, një herë ka kosto 4 miliardë, një herë është pronë private. Banorët vendas kërkojnë të jenë pjesë e projektit, të njihen si pronarë dhe të shpronësohen. Nuk kam dëgjuar nga banorët të jenë kundër amerikanëve apo kundër grekëve. Kërkojnë të bëhet investimi dhe t’iu njihet e drejta e pronës. Atje është zonë e mbrojtur.
Asnjë e vërtetë nuk pengon rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Nuk ka asnjë shans Shqipëria të futet në BE pa respektuar pronën, pa mbrojtur mjedisin. Nëse Shqipëria nuk i zbaton këto kushte, nuk do futet. Sado që do të fshihet zoti Rama është pasardhës i Partisë Komuniste. Atëherë problemi ishin armiqtë e jashtëm dhe sot Rama po i risjell armiqtë e jashtëm. Është një justifikim tipik i një qeverie që nuk qeveris dhe nuk mbron të drejtat e qytetarëve të saj.
Në Greqi ka 3-4 projekte të tilla të mëdha dhe ka shumicë turizëm familjar dhe Greqia paralelisht me turizmin elitar, ka dhe turizmin familjar dhe ky turizëm dominon. Nuk mund të fusësh në këtë bisedë shtetet fqinje. Një investim kaq i madh po të bëhet në Korfuz, Lefkadha apo Kefalonia, nuk mund të shihet keq nga grekët, se duke qenë se janë pranë tyre, këta turistë mund të vizitojnë dhe Greqinë.
Ka pretendime, janë banorët vendalinj, të cilët qeveria shqiptare njeh rreth 900 persona që janë grekë. Shumë prej këtyre banorëve që i njoh unë, iu janë drejtuar gjykatave për pronat. Kjo nuk e bën Zvërnecin Vorio-Epir! Janë shtetas shqiptaro-grek, që duan të drejtën e pronës. Pse nuk duhet të jenë pjesë e këtij zhvillimi ata banorë?! Gjithë ky proces ka mungesë të lartë transparence.
Qytetarët panë çuditërisht të mbylleshin jo vetëm tokat e tyre, por dhe aksesi i tyre në det. Kur një investim është kaq i madh dhe në të mirën e komunitetit, reklamoje, bëj dëgjesa publike me qytetarët që të bëhen pjesë e projektit dhe jo të bëhen pengesë. Edhe qytetarët që janë atje, mund të jenë më patriotë se zoti Rama. Nuk kam parë ndonjë interes konkret, por nëse ka ndonjë interes nga familja Trump për të investuar në Zvërnec, është lajm i shkëlqyeshëm.
Nëse një kompani kaq e madhe do të investojë 4 miliardë, nuk do e prishë këtë investim për pak para që do marrin pronarët. Kam dyshimin se përdoren emra kaq të mëdhenj për të trembur banorët. Nëse do respektohet ekosistemi, nuk ka asgjë të keqe ky investim, por ka gjithë të mirat. Do të jetë një investim i madh serioz në Shqipëri. Do jetë lajm i mirë, filluar me 4 miliardë euro investim.
Duhet të jesh i çmendur mos të mbështesësh investimin. Njerëzit që dalin dhe demonstrojnë nuk demonstrojnë vetëm për Zvërnecin. Janë një masë heterogjene, janë pronarë, janë njerëz me ndjeshmëri për ambientin, janë një grup heterogjen.
Ai që do i anashkalojë dhe nuk do i marrë seriozisht, shumë shpejt do të bëhet pishman. Deklarata e Komisionit të Europës ditën e hënë se BE respekton të drejtat pronësore, mjedisin dhe biodiversitetin është një deklaratë që vë kufijtë se si mund të zhvillohet vendi dhe se si shkohet në Europë me këtë investim.



