Një person i dënuar për pengmarrje është arrestuar nga policia e Tiranës.
Aleksandër Kalemi, 26 vjeç, banues në Gjirokastër, u vu në pranga pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me vendimin e datës 24.12.2015 e ka dënuar me 3 vjet burg për veprën penale "Heqje paligjshme e lirisë".
Sipas njoftimit të policisë, më 4 mars 2012 në vendin e quajtur lagjia "Dunavat" iu ka hequr lirinë dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasve E.Sh., R.G., dhe K.A., të cilët janë mbajtur në mënyrë të paligjshme në fshatin Lazarat, Gjirokastër.
Shtetasi i ndaluar iu dorëzua D.V.P. Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Ngjarja
Kalemi është pjesë e një grupi prej 7 të rinjsh që rrëmbyen dhe torturuan në një shtëpi të braktisur në Lazarat tre persona. Në mars 2012, grupi i të rinjve dhunoi dhe torturoi në mënyrë çnjerëzore tre veta, pas dyshimeve se këta të fundit u kishin vjedhur një sasi hashashi. Të dëmtuarit janë lidhur me tel duar e këmbë, janë dhunuar me mjete të forta dhe për ta nuk është kursyer as tortura me rrymë elektrike. Në kërkesën e saj, prokuroria kërkoi nga 22 vjet heqje lirie për të pandehurit Kazem Buzheri, Bledar Muho, Alfons Buzheri dhe Arbër Meçi. Për të pandehurit Bako Buzheri dhe Vullnet Buci organi i akuzës kërkoi nga 21 vjet burg, ndërsa për të pandehurin Aleksandër Kalemi 20 vjet heqje lirie. Kërkesa e prokurorisë për dënimin e tyre është bërë në mungesë, pasi asnjëri prej tyre nuk është arrestuar nga policia.
RRËMBIMI
Referuar kërkesës për gjykim të prokurorisë, Ergest S., Velo S. alias Kosta A dhe Ergys G. më datë 04.03.2012 janë rrëmbyer dhe janë keqtrajtuar fizikisht nga të pandehurit, pasi ata dyshonin se të dëmtuarit kishin vjedhur lëndën narkotike të llojit hashash që kishin në pronësi të pandehurit. Këtë ditë vëllezërit Shele ishin telefonuar nga i pandehuri Aleksandër Kalemi, i cili i priste në Gjirokastër. Pasi janë takuar me të, me automjetin e tij kanë shkuar në një lokal te “Qafa e Pazarit” e më pas në lagjen “Dunavat”. “Aty ata janë ndaluar nga një furgon me targa amerikane, nga ku kanë dalë të pandehurit Bledar Muho dhe Kasëm Buzheri, të cilët u janë drejtuar vëllezërve Ergest dhe Kosta me fjalët: Mos lëvizni. I pandehuri Kasëm Buzheri e ka goditur me pistoletë në kokë të dëmtuarin Ergest duke i thënë: Më njeh mua… ju që donit të më vidhnit mallin mua’. Më pas kanë goditur me grushte Ergestin dhe Kostën në trup, duke i detyruar të hipin në furgon dhe janë nisur drejt fshatit Lazarat”, thuhej në kërkesën e prokurorisë.
TORTURAT
Prokuroria pretendon se në shtëpinë e braktisur në Lazarat, ndaj të dëmtuarve është ushtruar dhunë çnjerëzore. “I pandehuri Alfons Buzheri i ka lidhur të dëmtuarit Ergest Sh. këmbët dhe duart me tel cingat dhe ka filluar ta godasë me shkelma e grushte duke i thënë: Nxirrni mallin, kush e ka marrë. Më pas në dhomë kanë hyrë të pandehurit Bako Buzheri, Kasëm Buzheri, Bledar Muho, Arbër Meçi dhe një person tjetër i paidentifikuar, të cilët kanë filluar ta godasin Ergestin me shkelma e grushte dhe i drejtoheshin me fjalët: Ku e keni mallin”, thuhej në pretencë. Në të njëjtën kohë, dyshohet se ata kanë rrahur e torturuar dhe vëllain e tij. Sipas Prokurorisë, për shkak të dhunës fizike dhe psikike të ushtruar mbi ta, Ergest S. është detyruar të pranojë që hashashin e kishte vjedhur bashkë me Resul G. e Alban R. Për të njëjtin shkak, autorësinë e vjedhjes është detyruar ta pranojë edhe Resil G. Më pas, të pandehurit i kanë lënë të dëmtuarit të lirë me kushte t’u kthenin hashashin e vjedhur.



