
Djali i Abu Bakr al-Baghdadit, liderit të Shtetit Islamik, është vrarë në një betejë në provincën siriane, Homs. Lajmin e ka konfirmuar dje agjencia e Shtetit Islamik, Amaq.
Sipas saj, Hudhayfah al-Badri është vrarë në një “operacion kundër Nussayriyyah dhe disa rusëve në një stacion të energjisë termike në Homs”, thuhet në një deklaratë të grupit.
Nussayriyyah është term i përdorur nga IS-i për një sekt të vogël fetar të presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Aktualisht grupi ekstremist ka prezencë të vogël në Siri pasi është shënjestruar nga forcat siriane, ato ruse dhe rebelët e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarët amerikanë dhe ata irakianë besojnë se lideri i këtij grupi, Baghdadi është ende i gjallë në Siri, afër kufirit me Irakun.
Baghdadi, me origjinë nga Iraku, cilësohet “personi më i kërkuar në planet”, pasi SHBA-ja ka ofruar 25 milionë dollarë shpërblim për kapjen e tij.



