
Në tryezën teknike për forcimin e rolit të prokurorëve në luftën kundër krimeve zgjedhore, e organizuar sot në Tiranë nga OSBE dhe Prokuroria e Përgjithshme, u tha se të gjitha institucionet përkatëse, prokurorët e posaçëm dhe policia gjyqësore, kanë kapacitetin e duhur për të arritur rezultate në parandalimin dhe marrjen e masave ndaj krimeve zgjedhore.
Në këtë kontekst, gazetarja Oliverda Allmuça, e ftuar në "MCN Informacion", theksoi se lidhur me faktimin e krimit zgjedhor, është vënë re një rritje të numrit të punësimeve në administratë, çka është në kundërshtim me reagimin e OSBE-së për të minimizuar numrin e të punësuarve gjatë periudhës parafushatës.
Kjo është bërë e qartë dhe shumë e dukshme.
Sipas shifrave zyrtare të INSTAT, vetëm në tre muajt e fundit të vitit 2024, administratës i janë shtuar 3,900 punonjës të rinj, të punësuar me kontrata të përkohshme.
Këto janë të dhëna zyrtare, dhe, në dritën e rekomandimeve kryesore të OSBE-së për të minimizuar numrin e punësimeve gjatë periudhës së fushatës, ngriten pikëpyetje se sa të nevojshme janë këto punësime.
Madje, Adea Perdeni, ministre e Sipërmarrjes, ka dalë me një njoftim që ndalon punësimet gjatë muajve të fushatës, duke i konsideruar ato të paligjshme.
Në takimin e sotëm, një nga fjalimet më të rëndësishme ishte ai i zv/drejtorit të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, i cili përdori një gjuhë të drejtpërdrejtë për t'iu drejtuar forcave politike.
Ai theksoi se policia do të jetë në vëzhgim të ngushtë dhe, në një mënyrë të tërthortë, përmendi disa raste konkrete që janë evidentuar. Bizhga bëri thirrje për një ndërgjegjësim më të madh nga qytetarët, duke i ftuar ata të raportojnë çdo shkelje dhe të jenë më të kujdesshëm gjatë periudhës zgjedhore.



