Eksperti i ekonomisë Pano Soko duke folur në “Mcn Economy” tha se Shqipëria siguron afro 200 milionë dollarë në vit nga shitja e kromit. Sipas tij problemi qëndron në faktin që vendi ynë nuk e vazhdon ciklin, për ta pasurur këtu kromin, që do të rriste përfitimet në 4 deri 5 fish. Sipas Sokos jo vetëm kromi, por në tërësi pasuritë publike në Shqipëri jepen “për një çap bukë”.
“Mesatarisht Shqipëria prodhon mesatarisht 900-930 mijë tonë krom në vit. Çmimi mesatar i shitjes varion, për kromin e varfër 80-180, 220 për të xehrorin e pasur. Kjo industri prodhon 200 milionë dollarë në vit. Renta minerare ka mbetur në atë nivel. Kush është problemi i pasurive natyrore? Segmenti i shkurtër i zinxhirit që posedojmë. Nëse do arrinim të mbyllnim këtu të gjithë zinxhirin e vlerës që merr zehrori sa del nga toka dhe futet në dyqan, shifrat do ishin 5 herë më të larta, do bënim 800 milionë dollarë në vit. Por ne sa e nxjerrim e shesim, nuk e pasurojmë këtu. Kjo e mirë e përbashkët e jona, që ishte e popullit, s’kishte lidhje me Enver Hoxhën, u pa si model që të krijonte hapësirën që disa njerëz t’i shfrytëzonin për interesa personale. Dakord privat, fitojë ti, por mbylle këtu ciklin. Kromi shqiptar shkon në prodhimin e automjeteve apo industrisë ushtarake. Vetëm 10-20 për qind të vlerës mbajmë këtu, ndërkohë që e kemi pasurinë tonë. Ne e kemi kromin dhe e shesim për një çap bukë. Këtë problem e kemi te të gjithë pasuritë natyrore”.



