Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Vitet e fundit, numri i grave të prekura nga kjo sëmundje në Shqipëri ka ardhur duke u rritur. Megjithatë, të dhënat nuk janë plotësisht transparente, pasi Shqipëria nuk ka një regjistër kombëtar për kancerin e gjirit.
Në një intervistë për Tema TV, mjekja onkologe Alketa Pere u shpreh se vitet e fundit vihet re një rritje e rasteve me kancer të gjirit te moshat e reja. Megjithatë, sipas Peres, ka një rritje të ndërgjegjësimit të femrave ndaj kësaj sëmundjeje. Këtë e tregon rënia e numrit të rasteve të diagnostikimit në faza të avancuara.
Pere shprehet se zbulimi i hershëm që bëhet nëpërmjet mamografisë e ka ulur vdekshmërinë me rreth 30%, ndërsa theksoi rëndësinë e kontrolleve vetjake dhe atyre te mjeku sidomos pas moshës 30-vjeçare.



