Ndërgjegjësimi mjedisor i shqiptarëve duket se ka qenë në rritje të vazhdueshme, që prej aspiratave të shqiptarëve për të hyrë në Europë në vitet ’90-të. Shumë gjëra kanë ndryshuar në këto dekada: politikanë dhe politika, ligje dhe kushtetuta, por ajo që ka mbetur e pandryshuar është shqetësimi i shqiptarëve për mjedisin.
Trashëgimia mjedisore e periudhës socialiste përfshinte gjithashtu mbetjet e industrisë së rëndë, duke filluar nga fabrika të ndryshme, si: soda kaustike në Vlorë, azotiku i Fierit, industria kimike në Laç, apo minierat e degraduara cep më cep të Shqipërisë, te cilat u shndërruan në puse të ndotjes.
Në vitet që pasuan, mjedisit shqiptar i janë shtuar edhe problematika të reja, siç janë: prerja e pyjeve, dëmtimi i florës dhe faunës, dëmtimi dhe ndotja e lumenjve dhe liqeneve apo gjuetia vend e pa vend.
Dhe përveç këtyre, bumi i ndërtimeve kudo dhe sidomos në qytete si Tirana, tashmë rrezikojnë të jenë me pasoja katastofrike për mjedisin, gjë që vërtetohet me përmbytjet masive të çdo sezoni dhe fenomene të ngjashme.
Paralelisht me dëmtimin, politikanët dhe politikëbërësit janë përpjekur të koordinojnë masat me retushim mjedisor, për të ngushtuar sa të munden dëmet, por edhe për të ndërtuar një fasadë për t’i fshehur sa të mundet këto dëme.
Janë përpjekje të dëshpëruara, që me pemët e mbjella në zonën e Liqenit e kudo tjetër për të kompensuar betonizimin, që po ndodh kudo. Madje edhe rikonstruksioni i sheshit “Skënderbej” u shit herë si fitore ekologjike me pemët mjerane rreth tij, e herë si fitore nacionaliste me betonin e parkingut të veshur me gurë “nga trojet shqiptare”.
Në çdo rast, qoftë dhe në ndërtimet apo restaurimet më të thjeshta, qeveria nuk ngurron të thotë se po shton hapësirën e gjelbër, ndërkohë që këtij iluzioni të servirur si të vërtetë i shërben edhe tarraca e lyer me të gjelbër e Bashkisë së Tiranës.
Që prej rezistencës që shqiptaret bënë masivisht ndaj importit të plehrave në Shqipëri, si dhe armëve kimike, një gjë ishte e qartë: që politikanët, tashmë e kanë kuptuar që shqiptarët janë ndërgjegjësuar për mjedisin dhe propaganda mjedisore shet.
Përtej kësaj propagande, ajo që ka mbetur e pandryshuar përtej moratoriumeve dhe masave të tjera të qeverisë është se Shqipëria është ende larg standardeve europiane përsa i përket mjedisit.
Megjithatë, në rrugën drejt Bashkimit Europian, me hir apo me pahir, Shqipërisë do t’i duhet të përmbushë ndër të tjera edhe një sërë kushtesh mjedisore në përputhje me standardet europiane.
Mjedisi dhe politikat për të janë në krye të agjendës të të gjithë vendeve europiane ndërsa Ky vit shënon një vit të madh kthese për botën mbarë me kthimin e SHBA në marrëveshjen e Parisit për Klimën, si edhe me vendosjen e mjedisit në krye të agjendës së presidentit të ri amerikan. Këto zhvillime pritet të kenë ndikim në avancimin e objektivave mjedisore për mbarë botën dhe sigurisht për vende si yni që janë duke ecur në rrugën drejt Europës.
Në fakt, ku qëndron Shqipëria përsa i përket standardeve mjedisore sot? Cilat janë dështimet dhe arritjet në fushën mjedisore gjatë këtyre viteve? Çfarë mund të themi për problemet e mbartura dhe ato të reja në rrugën e zhvillimit dhe çfarë mund të themi për politikat që adresojnë këto probleme?
Mbi të gjitha: cilat janë detyrimet që i duhet të përmbushë Shqipërisë përsa i takon mjedisit në rrugën drejt Bashkimit Europian?!
Përgatiti: Blerina Goce



