Gazetari Xhevahir Zhabina, në një intervistë për MCN, e cilësoi si një ngjarje tejet të rëndë vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit nga Elvis Shkambi. Ai theksoi se kjo tregon dobësitë e thella të sistemit të sigurisë në gjykata, duke nënvizuar se hyrja e një personi të armatosur në ambientet e drejtësisë është tregues i mungesës së kontrollit.
Sipas Zhabinës, kjo ngjarje është edhe një pasojë e problemeve që solli reforma në drejtësi, pasi qytetarët nuk e kanë ndjerë asnjëherë sistemin si në anën e tyre. Ai shtoi se autori ka vepruar me vetëdije të plotë, duke qenë i ndërgjegjshëm për vendimin që do të merrej ndaj tij ditën e sotme.
“Është një ngjarje e rëndë e ndodhur në zyrat e shtetit. Ne kemi patur një ngjarje të rëndë edhe në qytetin e Vlorës, të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ajo që të bënë përshtypje nga palët është e personave që mund të hyjnë në gjykatë. Kjo tregon sa pak efektive janë gjykatat në sigurinë e tyre, nëse do të kishte një siguri maksimale nuk do të kishte mundësi të futej në gjykatë me armë.
Unë e shoh edhe ndryshe këtë çështje, mendoj që mund të jetë edhe produkt i asaj prodhoi reforma në drejtësi, qytetarët asnjëherë nuk e kanë parë sistemin e drejtësisë si diçka në krahun e tyre. Pavarësisht kësaj, kjo gjë nuk iku as nga reforma në drejtësi. Kam përshtypjen që personi e dinte që çfarë vendimi e priste sot dhe ndaj ka shkuar me armë. Ai ka qenë koshient me çfarë veprimi po kryente. Me informacionet e mia ai ka qëlluar drejt gjyqtarit fillimisht dhe më pas ndaj palës tjetër.”, tha Zhabina.



