Kryeredaktori i MCN TV, Leonard Mitro duke folur për ceremoninë mortore të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, deklaroi se ndoshta Shqipëria nuk e meritonte një personalitet të tillë, pasi në një pjesë të madhe shoqëria shqiptare nuk ka kapacitet për të vlerësuar personalitete të tilla.
Nga studio e MCN Live, Mitro tha se për Kryepeshkopin Anastas ka qenë një mision jo i lehtë të shërbente në Shqipëri dhe të ngrinte nga hiri Kishën Ortodokse në Shqipëri.
Mitro cilësoi si shumë domethënëse amanetin e Kryepeshkopit për prehjen e tij në Shqipëri, duke lënë të të kuptohet se tashmë i përket këtij vendi, kësaj kishe dhe këtyre njerëzve.
“Kryepeshkopi Anastas ishte një personalitet botëror i mbarë ortodoksisë, me tituj të veçantë dhe një përkushtim të madh në ringritjen e kishave jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Afrikë ku shërbeu për disa vite. Për të kuptuar reputacionin që i dha Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, duhet të njohim veprën dhe kontributin e tij në 33 vite.
Për të ka qenë një mision jo i lehtë të shërbente në Shqipëri dhe të ngrinte nga hiri Kishën Ortodokse në Shqipëri. Vitet e para kur u dërgua me mision në Shqipëri nga Patriarkana e Kostandinopojës, gjeti një vend të rrënuar dhe një shoqëri që ishte zhveshur nga të gjitha ndjesitë, emocionet, por edhe lidhjet me besimin në Zot.
Kryepeshkopi mori këtë detyrë në një mjedis jo dhe aq miqësor për të, një klimë paragjykimesh, tensioni, por që i rezistoi dhe në fund triumfoi misioni i tij përtej të gjitha dritëhijeve që u përpoqën shumë herë t’i vishnin figurës së tij.
Në komentet e ditëve të fundit shumë gazetarë të njohur në Shqipëri kanë bërë një lloj autokritike mbi qëndrimet që kishin mbajtur ndaj kryepeshkopit Anastas, duke thënë se aq kanë ditur dhe aq kanë bërë.
Ndoshta Shqipëria nuk e meritonte një personalitet të tillë, se në pjesën dërrmuese shoqëria shqiptare nuk ka kapacitetet për të vlerësuar personalitete të tilla.
Misioni i tij dalëngadalë kaloi përtej gjithë vështirësive, dhe arriti të fitonte respektin jo vetëm të shoqërisë shqiptare, por edhe të politikës dhe shoqërisë që vuri në diskutim praninë e tij në Shqipëri.
Kryepeshkopi e ka pasur largëpamësinë që edhe pas ikjes së tij nga jeta gjërat të kishin themelet të forta. Sinodi i kishës që përbëhet në shumicë nga klerikë me kombësi dhe shtetësi shqiptare dhe dy me shtetësi dhe kombësi greke, do të konkludojë në atë që Kryepeshkopi Anastas dëshironte. Por kjo i përket një faze më vonë, pasi të kalojnë 40 ditë nga ndarja e tij nga jeta, sipas parashikimeve në statutin e Kishës Ortodokse.
Mënyra si u soll politika dhe një pjesë e shoqërisë shqiptare me Kryepeshkopin Anastas në 33 vitet e fundit. Tre presidentë republike i refuzuan Kryepeshkopit shtetësinë shqiptare. Po të mbash parasysh se kush e ka përfituar shtetësinë shqiptare, është e turpshme të shohësh se si shteti shqiptar dhe institucionet shqiptare janë sjellë me kreun e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Është shumë domethënëse që Kryepeshkopi la si amanet prehjen e tij në Shqipëri. Është shumë prekës dhe domethënës mesazhi që përcjell. Ai la të kuptohet se tashmë i përket këtij vendi, kësaj kishe dhe këtyre njerëzve.
Ai kishte një lloj distancimi nga mediat shqiptare, prej polemikave dhe luftës së vazhdueshme dhe dyshimeve të tejzgjatura mbi misionin e tij, duke e bërë agjentë të shërbimeve sekrete dhe marrëzi nga më të ndryshme.
La të kuptohet se i përket Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Se ai nuk bënte ndasi mes njerëzve se të kujt përkatësie fetare ishin.
Përplasjet e para lindën që në vitin 1991 kur ish-Presidenti Berisha i mbërthyer nga komplekset e histori-grafisë komuniste se çfarë ishte Greqia dhe grekët, fillimisht refuzoi pranimin e Kryepeshkopit Anastas në Shqipëri. Dallga e parë kaloi.
Dallga e dytë ishte referendumi i Kushtetutës në 1994, i cili ishte një akt i pastër kundër pranisë së Kryepeshkopit Anastas në Shqipëri, por kjo Kushtetutë nuk e kaloi referendumin.Kryepeshkopi e kaloi dhe dallgën e dytë. Për të vijuar me qeverisjen socialiste dhe tre ish-Presidentë që nuk I dhanë shtetësinë, të cilën e fitoinë vitin 2017 nga ish-Presidenti Ilir Meta.
Sfida më e madhe e një religjioni dhe lideri fetar, ishte a do të mund të ringrinte dhe rizgjonte besimin tek njerëzit? Ai që është thelbi!Vetë ai duke përmendur një moment të vështirë të jetës së tij kur ishte në Afrikë, kur mendonte se mund të ndahej nga jeta, për shkak të një sëmundje që mori atje ku shërbente, tha se ai ishte përpjekur gjithë kohës që të jetonte në misterin e dashurisë së Zotit, duke pranuar se mund të kishte bërë edhe gabime.
Mbi sfidën për të ringritur besimin e një shoqërie të indoktrinuar mbi ateizmin, mendoj se gjithë ajo që pamë që nga ardhja e trupit në Kakavijë dhe më tej ndaljen e kortezhit gjatë gjithë rrugës me njerëz që hidhnin dafina dhe lule tregoi se fuqia e dashurisë që u dha njerëzve tani po kthehet mbrapsht”.



