
Policia e Shtetit ka dale mbi një sqarim lidhur me rastin e 41-vjeçares Bedrie Loka që konsumoi fotoskinë për shkak të bullizimit në TikTok, duke gjetur për pasojë vdekjen. Sipas “Bluve” materialet mbi rastin janë referuar në Prokurori, dhe organi i akuzës po vijonte hetimet për zbardhjen e rrethanave. Policia shton se vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që kanë keqpërdorur të dhënat e të ndjerës.
Në njoftim thuhet:
Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për një shtetase që ka humbur jetën pasi dyshohet se ka konsumuar fotoksinë, për shkak të bullizmit, ju sqarojmë se: Më datë 02.01.2024, në orën 16:30, jemi njoftuar nga shërbimet e spitalit se shtetasja B. L., 41 vjeçe, që dyshohej se kishte konsumuar lëndë helmuese fotoksinë, edhe pse kishte marrë ndihmë mjekësore, nuk kishte mundur të jetonte. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka kryer të gjitha veprimet me grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, dhe materialet janë referuar në Prokurori.
Sqarojmë se në dhjetor të vitit 2022, shtetasja B. L. ka bërë kallëzim se në rrjetet sociale ishte hapur një adresë false me emrin e saj. Për kallëzimin e bërë ne dhjetor 2022, Policia ka kryer të gjitha veprimet dhe i ka referuar materialet në Prokurori dhe çështja është në hetim në Prokurori. Pas këtij kallëzimi nuk ka patur asnjë kallëzim apo shqetësim nga shtetasja B. L, për këtë rast. Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti. Ndërkohë që vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që kanë keqpërdorur të dhënat e shtetases B. L.



