
Partia Demokratike prezantoi sot propozimin e saj për masat antimafia për çlirimin e ekonomisë “nga korrupsioni dhe oligarkia”.
Gjatë fjalës së tij, kreu i selisë blu, Lulzim Basha, prezantoi në vija të përgjithshme alternativën me anë të së cilës PD-ja synon të ndalë dhënien e koncesioneve abuzive përmes ndryshimit të ligjit “Antimafia”.
“Marrëdhënia mes krimit dhe politikës ka hyrë në ekonomi. Format e bashkëpunimit janë të qarta. Javën e kaluar, me kalimin e ligjit Fusha-Rama për grabitjen e pronës publike dhe pastrimin e 200 milionë eurove, kjo u bë e qartë. Parlamenti është kthyer në vendin që ligjëron dhe legjitimon pastrimin e parave të pista. Asgjë nuk e përmbledh më mirë korruptimin total të kësaj qeverie sesa afera 1 miliard euro. Po zhvaten qindra miliona euro nga xhepat e qytetarëve për të pasuruar oligarkët. Kapja totale e shtetit merr formë përmes kriminalizimit të vendimmarrjes dhe shkatërrimit të ekonomisë përmes përqendrimit të pushtetit ekonomik në duart e një grushti njerëzish. 45 biznese mbyllen çdo ditë”, tha Basha.



