
"Lufta e 120 viteve të popullit iranian për liri" është tema e konferencës që ka sjellë në Shqipëri avokatin personal të presidentit amerikan. Përfaqësuesi ligjor i Trump dhe ish-kryebashkiak i Nju Jorkut, Rudi Xhuliani dhe ish-senatori Xho Liberman kanë marrë pjesë në konferencën disaditore që MEK ka mbajtur në kampin e muxhahedinëve iranianë në Manzë.
MEK, një shkurtesë e muxhahedin e khalk, i njohur ndryshe si opozita iraniane, e drejtuar nga Mariam Rajavi, mblodhi në këtë konferencë të përvitshme deputetë dhe zyrtarë nga e gjithë bota.
Në fjalën e tij, Xhuliani e konsideroi organizatën MEK një alternativë ndaj teokracisë në Iran dhe si e tillë, sipas tij, ajo duhet mbështetur.
“Ne mund ta kishim parandaluar Holokaustin. Nuk mund ta bëjmë tani. Mund të mësojmë prej saj. Por ne mund të parandalojmë vrasjen dhe masakrën që po ndodh në Iran. Një alternativë ekziston tek teokracia në Iran. Është përgjegjësia jonë ta mbështesim atë”, tha Xhuliani në fjalën e tij para të pranishmëve.
Edhe ish-senatori Liberman u shpreh në mbështetje të opozitës iraniane.
"Kur jam këtu, unë ndiej se unë përfaqësoj frymën e mikut tim të madh, senatorit të ndjerë Xhon Mekein, i cili qe paralajmëruar t’i qëndronte larg kësaj organizate. Por ai besoi në këtë organizatë dhe në kauzën e saj", tha Liberman.
Vizita e Xhulianit nuk është e para në Shqipëri. Në maj të vitit të kaluar, ai ka qenë në vendin tonë për një takim të kësaj natyre. Konferenca e organizatës MEK vjen vetëm pak muaj pasi administrata Trump ndryshoi qëndrim në lidhje me organizatën MEK, duke mos e përjashtuar si një zëvendësim të mundshëm për qeverinë aktuale në Iran.
Të njohur ndryshe si disidentët iranianë, organizata MEK e ka rritur profilin e saj që nga zgjedhja e Presidentit Trump. Një vit më parë, Trump vendosi tërheqjen e SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore e Iranit dhe shumë nga këshilltarët e tij të sigurisë dhe të politikës së jashtme kanë lidhje me lëvizjen e rezistencës iraniane.



