Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar vazhdimin e dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Vuçiç njoftoi vazhdimin e dialogut teknik midis Beogradit dhe Prishtinës më 10 dhjetor dhe shtoi se ata do të diskutojnë mbi pronën dhe kërkesat financiare.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), Vuçiç tha se “nuk është i sigurt nëse Prishtina dëshiron të zbatojë diçka nga dialogu, për shkak të arsyeve të brendshme”.
Ai tha se i dërguari special i BE Miroslav Lajcak përcaktoi dialogun si një rrugë të gjatë dhe me dredhërime dhe se pozicioni i Gjermanisë mbi çështjen e Kosovës, pas bisedimeve me kancelaren Angela Merkel, nuk ka ndryshuar.
Pandemia e koronavirusit nuk ka penguar takimin e datës 29 tetor, të shefave të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, Skender Hyseni dhe Petar Petkoviq në Bruksel, ku kanë diskutuar për zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjeve të pronës midis dy vendeve.
Krahas dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia më 4 shtator kanë nënshkruar në Uashington, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, një marrëveshje për normalizim të raporteve ekonomike.
Ndërkohë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit në SHBA, dhe fitores së kandidatit demokrat, Joe Biden, shumë ekspertë kanë ngritur pyetje lidhur me fatin e kësaj marrëveshjeje.
Por, Vuçiç tha se Serbia respekton këtë marrëveshje pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane.
Ai përsëriti se “ka raporte personale të mira me Bidenin”, por sipas tij, “do të ishte më mirë për Serbinë nëse mbetet administrata aktuale e SHBA-së”.
Vuçiç njoftoi se sot (4 dhjetor) do të flasë me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Robert O’Brien, dhe se besonte se do të kishte mundësinë të takonte, Joe Bidenin në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.



